Mosawi shpallet kampion bote, Kosova shkruan historinë në Muaythai

Mosawi shpallet kampion bote, Kosova shkruan historinë në Muaythai

Sayed Mosawi është kampion bote në Muaythai, duke i sjellë Kosovës medaljen e artë në Kampionatin Botëror të IFMA-s, që për herë të parë po zhvillohet në Kosovë.

Në Deçan, aty ku për disa ditë u përqendrua vëmendja e botës së Muaythait, Mosawi zhvilloi finalen e madhe dhe ia doli të ngjitet në majën e podiumit, duke fituar titullin e kampionit të botës.

Kampionati Botëror, i zhvilluar në Kosovë me pjesëmarrjen e më shumë se 400 garuesve dhe 71 delegacioneve nga të gjitha kontinentet, përbën një prej ngjarjeve më të mëdha ndërkombëtare sportive të organizuara ndonjëherë në vend.

Për Mosawin, kjo është një arritje e veçantë edhe për faktin se ai tashmë mbron ngjyrat e Republikës së Kosovës.

Me origjinë nga Afganistani dhe i rritur e me jetë sportive në Suedi, Mosawi tashmë është shtetas i Kosovës dhe garon për Kombëtaren tonë në arenën ndërkombëtare.

Rrugëtimi i tij në nivelin më të lartë të Muaythait është i njohur edhe nga vetë IFMA.

Mosawi ka qenë pjesë e Kampionateve Botërore edhe më herët, ndërsa tani, duke garuar nën flamurin e Kosovës, ka arritur suksesin më të madh të karrierës, titullin e kampionit të botës.

Kjo medalje e artë merr një peshë edhe më të madhe për Muaythain kosovar, pasi vjen në Kampionatin Botëror të organizuar në vendin tonë. Federata e Muaythait të Kosovës, e themeluar në vitin 2018, në vetëm pak vite ka kaluar nga zhvillimi i sportit vendor në organizimin e ngjarjeve të mëdha ndërkombëtare: Kampionatit Evropian në Prishtinë në vitin 2024, Kampionatit Ballkanik në vitin 2025 dhe tani Kampionatit Botëror në Deçan.

Pas këtij suksesi qëndron edhe puna e Federatës së Muaythait të Kosovës, me presidentin Shpejtim Ahmetaj dhe gjithë stafin organizativ, të cilët kanë bërë të mundur që Kampionati Botëror i IFMA-s të zhvillohet në Kosovë dhe të përmbyllet në nivelin e një ngjarjeje të madhe ndërkombëtare.

IFMA, organizata botërore që qeveris Muaythain dhe është e njohur nga Komiteti Olimpik Ndërkombëtar, e ka vlerësuar vazhdimisht zhvillimin e këtij sporti në Kosovë dhe punën e Federatës kosovare.

Dhe tash, në historinë e këtij sporti në Kosovë, shkruhet edhe emri i Sayed Mosawit.

Nga Kosova në majën e botës, Sayed Mosawi është kampion bote dhe medalja e artë shkon për vendin tonë.

Share This