
Hamza nderon viktimat e 11 Shtatorit: Mirënjohje për SHBA-në e popullin amerikan
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bedri Hamza, së bashku me deputetë të kësaj partie, kanë bërë homazhe te memoriali “Kosova kujton”, në nderim të viktimave të sulmeve terroriste të 11 Shtatorit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Hamza tha se ky akt simbolik është shprehje e respektit për të gjithë ata që humbën jetën në atë tragjedi, por edhe për miqësinë dhe partneritetin e veçantë mes Kosovës dhe SHBA-së.
“Bashkë me kolegë e kolege nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës jemi këtu në nderim të viktimave të 11 Shtatorit, në respekt të të gjithë atyre që kanë humbur jetën në këtë ngjarje, po edhe në respekt edhe në vlerësim për miqësinë dhe partneritetin me Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, u shpreh Hamza, raporton rtk.
Ai theksoi mirënjohjen e PDK-së dhe të popullit të Kosovës ndaj Shteteve të Bashkuara, duke nënvizuar se Kosova do të qëndrojë pranë popullit amerikan edhe në momentet e gëzimit, por edhe në ditët e dhimbjes.
“Jemi mirënjohës Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe jemi shumë falënderues ndaj popullit amerikan dhe gjithmonë do të jemi bashkë me ta edhe në gëzime, po edhe në raste kur ka dhimbje dhe kur ka nevojë për respekt”, deklaroi Hamza.

