
Një i vdekur dhe një i lënduar nga shembja e një vinçit në Prishtinë
Një person ka humbur jetën dhe një tjetër është lënduar pasi një vinç është shembur afër Rrugës A në Prishtinë.
Lajmin për RTKlive e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë, Enis Pllana.
Ai ka bërë të ditur se dy personat kishin pësuar lëndime trupore dhe ishin dërguar për trajtim mjekësor, por njëri prej tyre nuk ka arritur t’u mbijetojë plagëve.
Vdekja e tij është konstatuar nga ekipi mjekësor në QKUK.
“Lidhur me rastin në fjalë, ju njoftojmë se dy persona kanë pësuar lëndime trupore dhe janë dërguar për trajtim mjekësor. Si pasojë e lëndimeve, njëri nga ta nuk ka arritur t’u mbijetojë plagëve dhe ka ndërruar jetë. Vdekja e tij është konstatuar nga ekipi mjekësor në QKUK”, ka deklaruar Pllana.
Njësitet policore kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe kanë ndërmarrë veprimet e nevojshme.
“Aktualisht, njësitet relevante policore, në koordinim me Prokurorin e Shtetit, kanë filluar hetimet për sqarimin e plotë të rrethanave të rastit”, ka thënë Pllana.

