
Rasti tragjik në Prishtinë, Inspektorati: Vendpunishtja s’kishte qenë e inspektuar më parë
Një punëtor e humbi jetën derisa një tjetër pësoi lëndime të rënda pas rënies së një krani në një vendpunishte në rrugën A në Prishtinë.
Pas kësaj ngjarje tragjike, ka reaguar edhe Inspektorati Qendror i Punës.
IQP-ja bëri të ditur se subjekti nuk kishte qenë më parë objekt i inspektimit, pasi punimet ndodheshin në fazën fillestare të ndërtimit, konkretisht në realizimin e themeleve.
Sipas Inspektoratit, është ende herët për të nxjerrë përfundime mbi shkaqet e aksidentit. Institucioni thekson se natyra dhe rrethanat e rastit kërkojnë hetime dhe ekspertiza të mëtejshme për të përcaktuar shkakun e saktë të ngjarjes, si dhe përgjegjësinë lidhur me zbatimin e masave të sigurisë dhe shëndetit në punë, raporton KK.
Inspektorët e Punës kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes dhe janë duke zhvilluar veprimet inspektuese në koordinim me institucionet kompetente.
Në reagimin e tij, Inspektorati Qendror i Punës u ka shprehur ngushëllimet më të sinqerta familjes, të afërmve dhe kolegëve të punëtorit që humbi jetën në këtë aksident tragjik, ndërsa të lënduarit i ka uruar shërim sa më të shpejtë.
Autoritetet pritet të dalin me më shumë informacione pas përfundimit të hetimeve dhe ekspertizave që do të sqarojnë rrethanat e plota të aksidentit.

