
Haziri: “Shuplaka” e Uashingtonit duhet ta dëgjojë presidentja dhe Kuvendi
Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lutfi Haziri, ka reaguar pas zhvillimeve të fundit në raportet mes Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, duke thënë se “shuplaka” e Uashingtonit për qeverinë Kurti duhet të dëgjohet nga të gjitha institucionet, përfshirë edhe presidenten e vendit dhe Kuvendin.
“Ka tri vjet që aleati më i madh dhe mbështetësi i pakushtëzuar, SHBA, ka nënvizuar marrëdhëniet e pakushtëzuara, mbështetjen e pakushtëzuar dhe progresin e dëshiruar për popullin e Kosovës. Por ka kërkuar në mënyrë decidive veprime të qeverisë për të gjithë qytetarët e saj, e cila e solli punën deri këtu: Populli mbetet i mbrojtur nga qeveria amerikane, por jo kjo Qeveri dhe kryeministri në detyrë me kabinetin e tij”, ka shkruar Haziri në “Facebook”.
Ai ka shtuar se Kosova prej kohësh është bërë lajm për vendime të këqija, veprime të dëmshme dhe mosbashkëpunim, por sipas tij, askush nuk e ka pritur këtë situatë.
“Kjo ‘shuplakë’ e Uashingtonit duhet të dëgjohet shumë. Duhet ta dëgjoj presidentja e para, por edhe Kuvendi. Roli historik dhe amaneti i përhershëm është: marrëdhënie speciale me SHBA-të. Duhet veprim për të ruajtur këtë mision. ‘Ku e lamë, e ku na mbeti’!”, ka shkruar Haziri.


