
NATO nis stërvitjet bërthamore mes tensioneve në rritje me Moskën
NATO ka nisur stërvitjen e saj vjetore bërthamore “Steadfast Noon”, me qëllim forcimin e gatishmërisë për parandalimin bërthamor.
Holanda është vendi pritës kryesor i këtij ushtrimi të përbashkët, i cili përfshin rreth 70 avionë nga 14 vende aleate dhe mbi 2,000 personel ushtarak.
Baza ajrore Volkel në Holandë shërben si qendra kryesore e operacioneve, ndërsa një kontingjent mbështetës vepron nga baza Skrydstrup në Danimarkë.
Në stërvitje marrin pjesë avionë luftarakë F-35 të Holandës, si dhe mjete të aleatëve për vëzhgim, furnizim ajror dhe komandë.
NATO ka sqaruar se gjatë këtyre manovrave nuk do të përdoren armë të vërteta.
Aleanca ka theksuar se këto stërvitje janë “rutine” dhe “nuk lidhen me ndonjë zhvillim aktual në botë”, duke synuar ruajtjen e gatishmërisë dhe promovimin e transparencës në qëndrimin bërthamor të NATO-s. “Qëllimi është që popullsitë aleate dhe bota të kuptojnë qartë se çfarë po bëjmë,” deklaroi Jim Stokes, Drejtor i Politikave Bërthamore në NATO.
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, tha se stërvitja dërgon një mesazh të qartë se “Ky është një sinjal i fortë për çdo kundërshtar të mundshëm se ne do të mbrojmë dhe do të garantojmë sigurinë e të gjithë aleatëve kundër çdo kërcënimi.”
Stërvitja zhvillohet në një klimë të tensionuar mes NATO-s dhe Rusisë, pas raportimeve për shkelje të hapësirës ajrore nga avionë dhe dronë rusë, që kanë nxitur thirrje për ndërhyrje ushtarake.
Rusia ka lëshuar vazhdimisht kërcënime të drejtpërdrejta ose të nënkuptuara bërthamore ndaj Ukrainës dhe vendeve perëndimore që e mbështesin atë, që prej nisjes së pushtimit të plotë.
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky, në një intervistë për Fox News më 12 tetor, ka hedhur poshtë retorikën bërthamore të Moskës, duke deklaruar se “Duhet të jesh i çmendur për të nisur një Luftë të Tretë Botërore bërthamore.” /rtsh/


