
Trump planifikon të takohet me Putinin, Zelensky: Ukraina nuk do të heqë dorë nga toka e saj
Presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelensky ka deklaruar se ata nuk do të bëjnë lëshime territoriale për të arritur një marrëveshje paqeje me Rusinë. Në një reagim disa orë pasi presidenti amerikan, Donald Trump Trump la të kuptohet për shkëmbime territoriale për t’i dhënë fund luftës me Rusinë dhe njoftoi takimin me Vladimir Putin javën e ardhshme, Zelensky tha se Ukraina “nuk do t’ia japë tokën e saj pushtuesve”.
Në një deklaratë në Telegram, Zelensky shkruan se çdo zgjidhje pa Ukrainën do të ishte “zgjidhje kundër paqes”.
“Kjo luftë duhet të marrë fund dhe Rusia duhet t’i japë fund asaj. Rusia e filloi atë dhe po e zvarrit, duke injoruar të gjitha afatet, dhe ky është problemi, jo diçka tjetër. Vendimet e marra pa Ukrainën nuk do të arrijnë asgjë. Ato janë vendime të vdekura. Ato janë vendime të pazbatueshme”, shkruan Zelensky.
Duke iu drejtuar drejtpërdrejt takimit Trump-Putin, Zelensky thotë se samiti po mbahet “shumë larg kësaj lufte, e cila po zhvillohet në tokën tonë, kundër popullit tonë, dhe që gjithsesi nuk mund të përfundojë pa ne, pa Ukrainën”.
Zelensky thotë se është i gatshëm punojë me Presidentin Trump dhe të gjithë partnerët e tjerë për një paqe “të vërtetë”.
Trump njoftoi pak orë më parë se do të takohet me presidentin rus Vladimir Putin në Alaskë të premten më 15 gusht për të diskutuar luftën në Ukrainë.
Trump sinjalizoi se Ukraina mund të duhet të heqë dorë nga territori në një marrëveshje paqeje me Rusinë, duke u thënë gazetarëve: “Do të ketë disa shkëmbim territoresh”. /rtsh/


