
Muharremi pas dorëheqjes së Liburn Aliut: Vetëvendosje ka rënë në kurthin e lakmisë për pushtet absolut
Analisti politik, Shenoll Muharremi, ka reaguar pas dorëheqjes së Liburn Aliut nga posti i ministrit në detyrë të Infrastrukturës, duke e cilësuar këtë zhvillim si tregues të krizës së brendshme në Lëvizjen Vetëvendosje dhe rënies së saj, siç thotë ai, në “kurthin e lakmisë për pushtet absolut”.
“Dorëheqja e Liburn Aliut po demonstron që LV-ja dhe Albin Kurti kanë rënë në kurthin e lakmisë për pushtet absolut dhe kanë humbur rrugën. Një parti që dikur fliste për demokraci dhe ideale sot është shndërruar në makineri autokratike, pa frymë të brendshme demokratike, pa konsultime cilësore të brendshme dhe pa busull morale. LV-ja ka braktisur gjithçka për çka u formua”, ka shkruar Muharremi në një postim në Facebook.
Sipas tij, Vetëvendosje sot merret me “kapjen e bordeve e institucioneve publike, me vendosjen e militantëve në çdo cep të shtetit, me ndërhyrje brutale politike në RTK dhe institucione tjera, madje edhe me sulme ndaj ekonomisë dhe bizneseve që e ushqejnë këtë shtet”.
Muharremi theksoi se Aliu nuk është i pari, e as i fundit që ka lënë Albin Kurtin.
“Shumica e njerëzve me integritet, vlera dhe shkathtësi janë larguar. Aty kanë mbetur kryesisht ata që nuk guxojnë ta sfidojnë liderin edhe kur ai gabon, duke mos i dhënë asnjë vlerë as partisë, as shoqërisë. Sot LV-ja është e njohur si parti e përçarjes dhe polarizimit, e linçimeve, sulmeve, nacionalizmit negativ dhe populizmit të rrezikshëm. Parti e mosbashkëpunimit dhe bllokadës institucionale”, u shpreh ai.
Në fund, analisti tha se dështimi për të krijuar frymë të brendshme të pluralizmit dhe demokracisë ka prodhuar një parti pa kapacitete për qeverisje dhe pa vizion për të ardhmen.
“E ardhmja e LV-së nuk duket e mirë pa një reformë të thellë dhe të gjerë. Partia do ta ketë të vështirë të ndalojë tkurrjen e saj në periudhën e tashme dhe të ardhshme. Rruga që ka zgjedhur lideri dhe po aplikon partia duket sikur rrugë drejt humbjes dhe tkurrjes sistematike, derisa të vijë momenti kur reforma dhe ndryshimet janë e vetmja rrugë për shpëtim”, përfundoi Muharremi.


