Hamza takohet me Prattipatin: Zvarritja e konstituimit të Kuvendit po e thellon krizën

Hamza takohet me Prattipatin: Zvarritja e konstituimit të Kuvendit po e thellon krizën

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, ka pritur sot në takim ushtruesen e detyrës së ambasadores amerikane në Kosovë, Anu Prattipati.

Siç bën të ditur PDK-ja përmes një njoftimi, në takim u diskutua për zhvillimet aktuale politike në vend, nevojën për konstituimin e Kuvendit të Kosovës dhe rëndësinë e ruajtjes së stabilitetit politik dhe institucional.

Hamza ritheksoi qëndrimin e PDK-së se vendi ka nevojë për Kuvend funksional dhe rikthim të rendit kushtetues e demokratik.

“Ai shprehu shqetësimin për zvarritjen e procesit të konstituimit të Kuvendit dhe për veprimet e partisë së parë, të cilat, sipas tij, kanë prodhuar shkelje kushtetuese dhe kanë thelluar krizën institucionale.

Hamza theksoi se bllokada duhet të marrë fund dhe përgjegjësia për krijimin e institucioneve duhet të ushtrohet pa vonesa të tjera, duke respektuar vullnetin e qytetarëve, Kushtetutën dhe procedurat parlamentare”, theksohet më tutje në njoftim, transmeton Klankosova.tv.

Në takim u vlerësua gjithashtu rëndësia e partneritetit strategjik ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, si dhe nevoja që Kosova të koordinohet me partnerët e saj ndërkombëtarë.

Share This