Memli Krasniqi: Albin Kurti kurrë më nuk do të jetë kryeministër i Kosovës

Memli Krasniqi: Albin Kurti kurrë më nuk do të jetë kryeministër i Kosovës

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, ka deklaruar se 56 vota “për” Albin Kurtin janë treguesi i fundit dhe se ai nuk do të rikthehet më në krye të qeverisë së Kosovës.

Krasniqi theksoi se në rast se do të pyetet nga presidentja Vjosa Osmani për numrin e votave, do të përgjigjet qartë se PDK nuk do të tentojë të formojë qeverinë me Kurtin dhe Lëvizjen Vetëvendosje.

“Sot nuk ka më asnjë dyshim: 56 vota për Kurtin dhe asnjë më shumë. Ky është fundi i një mashtrimi që vendit i kanë kushtuar me izolim, përçarje dhe humbje kohe. Kurti nuk do të jetë më kryeministër, as pas zgjedhjeve të shkurtit, as në zgjedhjet e ardhshme. Ata nuk lanë vend për dialog apo bashkëpunim. Sa më parë të shkojmë tutje në krijimin e institucioneve, pa Kurtin dhe VV, është më mirë për vendin tonë”, tha Krasniqi.

Ai shtoi se që nga data 10 shkurt ka bërë përpjekje për të ndihmuar procesin, por situata aktuale e bën të qartë se nuk do të ketë përpjekje për formimin e qeverisë.

Sa i përket propozimit të Dimal Bashës për ministër të Infrastrukturës, Krasniqi tha se ishte një befasi dhe një lloj talljeje.

“Nuk jam i sigurt që e ka ditur që i përmenda emrin. Është mirë të pyetet nëse e ka ditur, pasi reagimi i tij ishte i papritur”, tha ai.

Deklaratat e Krasniqit vijnë pas dështimit të Kurtit për të siguruar votat e nevojshme për formimin e Qeverisë, duke theksuar më tej ngërçin politik në vend.

Share This