Mbi 250 000 banorë të larguar nga Gaza

Mbi 250 000 banorë të larguar nga Gaza

Ushtria izraelite tha sot se më shumë se 250 000 banorë ishin larguar nga Qyteti i Gazës në javët e fundit për në pjesë të tjera të territorit palestinez, pas një intensifikimi të bombardimeve dhe bastisjeve izraelite.

Nga ana e saj, Mbrojtja Civile në Rripin e Gazës raportoi pesë palestinezë të vrarë që nga agimi, pas bombardimeve izraelite, vetëm një ditë pas vdekjes së të paktën 50 personave në të gjithë territorin e shkatërruar nga 23 muaj luftë.

“Sipas vlerësimeve të ushtrisë, më shumë se një e katërta e një milion banorëve të Qytetit të Gazës janë larguar për sigurinë e tyre”, tha zëdhënësi i ushtrisë izraelite, Avichay Adraee për X.

Sipas vlerësimeve të fundit të OKB-së, afërsisht një milion palestinezë jetojnë në dhe përreth Qytetit të Gazës, qytetit më të madh të territorit.

Ushtria thotë se dëshiron të marrë kontrollin e Qytetit të Gazës, të cilin e paraqet si një nga fortesat e fundit të lëvizjes islamiste palestineze Hamas.

Forcat Ajrore Izraelite lëshuan sot fletëpalosje duke u bërë thirrje banorëve të lagjeve perëndimore të qytetit të evakuohen, ndërsa Mbrojtja Civile lokale raportoi vazhdimin e sulmeve ajrore.

“Ushtria po vepron me forcë në zonën tuaj dhe është e vendosur të shpërbëjë dhe mposhtë Hamasin”, shkruhej në fletëpalosje.

“Për sigurinë tuaj, evakuohuni menjëherë nëpërmjet rrugës ‘al-Rashid’ në jug. Ju jeni paralajmëruar”, shtohej në të. /atsh/

Share This