Marash Kumbulla kërkohet nga tri klube evropiane
Mbrojtja e Torinos vazhdon të mbetet një nga pikat më problematike të skuadrës këtë sezon.
Klubi italian ka pësuar 40 gola në 22 ndeshje, duke u renditur si mbrojtja më e dobët në Serie A, çka ka shtyrë drejtuesit të kërkojnë përforcime të menjëhershme në repartin defensiv.
Në këtë kuadër, në ‘radarët’ e Torinos ka hyrë qendërmbrojtësi shqiptar i Romës, Marash Kumbulla.
Futbollisti 25-vjeçar, i lindur në vitin 2000, e ka kaluar pjesën e parë të sezonit si i huazuar te Mallorca, por pritet që në ditët e fundit të afatit kalimtar dimërore të ndryshojë ambient.
Sipas burimeve pranë klubit, Torino është një nga ekipet e interesuara për shërbimet e mbrojtësit shqiptar, përkrah Udineses dhe Espanyolit.
Drejtori sportiv i granatëve, Gianluca Petrachi, thuhet se është një admirues i vjetër i Kumbullës dhe e konsideron atë një profil të përshtatshëm për të forcuar mbrojtjen e skuadrës.
Ditët në vijim pritet të jenë vendimtare për të ardhmen e Kumbullës, me Torinon që po shqyrton mundësinë e një transferimi ose huazimi me të drejtë blerjeje.


