Liverpool zhgënjen sërish, mposhtet nga Brighton në garën për top katërshe

Liverpool zhgënjen sërish, mposhtet nga Brighton në garën për top katërshe

Liverpool ka vazhduar formën e dobët në Premier League, duke pësuar humbje 2-1 në transfertë ndaj Brighton & Hove Albion, çka e vë në rrezik serioz garën për një vend në top katërshe, shkruan Rekordi.net.

Ndeshja nisi me vonesë 15-minutëshe dhe u shoqërua me ritëm të ulët në fillim, sidomos pas dëmtimit të hershëm të Hugo Ekitike, i cili u detyrua të largohej nga loja brenda 10 minutave. Vendin e tij e zuri Curtis Jones, por Liverpool nuk arriti të gjejë balancën në sulm.
Vendasit kaluan në epërsi që në minutat e para, kur Danny Welbeck shënoi me kokë pas një aksioni të ndërtuar nga Ferdi Kadıoğlu dhe Diego Gómez. Ky ishte goli i 11-të sezonal për Welbeck, duke e bërë atë golashënuesin më të mirë anglez në ligë.
Liverpool reagoi dhe arriti të barazojë në minutën e 30-të, falë një gabimi të mbrojtjes vendase.

Milos Kerkez përfitoi nga një kthim i gabuar i topit dhe realizoi me një parabolë elegante mbi portierin Bart Verbruggen.
Megjithatë, në pjesën e dytë Brighton u rikthye më i vendosur dhe riktheu epërsinë. Sërish protagonist ishte Welbeck, i cili shënoi golin e dytë pas një asistimi nga Jack Hinshelwood, me golin që u konfirmua pas kontrollit të VAR-it.
Liverpool provoi të reagojë, por mungesa e ideve dhe konkretizimit në sulm ishte e dukshme. Rastet e krijuara nuk u shfrytëzuan, ndërsa portieri Giorgi Mamardashvili bëri disa pritje të mira për të mbajtur ekipin në lojë.

Në fund, Brighton siguroi një fitore të merituar, të katërtën në pesë ndeshjet e fundit, duke u ngjitur në vendin e tetë.

Ndërkohë, Liverpool rrezikon të mbetet pesë pikë larg zonës së top katërshes, duke rritur presionin në fazën vendimtare të sezonit. /Rekordi.net

Share This