LDK akuzon VV-në për “fushatë mashtrimi”: Po tenton t’i ikë përgjegjësisë për bllokimin e buxhetit të Prishtinës

LDK akuzon VV-në për “fushatë mashtrimi”: Po tenton t’i ikë përgjegjësisë për bllokimin e buxhetit të Prishtinës

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka reaguar ashpër ndaj deklarimeve të Lëvizjes Vetëvendosje (VV), duke e akuzuar këtë subjekt për “fushatë të mashtrimit politik” dhe përpjekje për t’i shpëtuar përgjegjësisë lidhur me bllokimin e bartjes buxhetore të Prishtinës.

Sipas LDK-së, VV-ja po pretendon merita për një proces që – siç thotë kjo parti – e ka bllokuar në tre raste radhazi.

“Dokumentet flasin qartë: më 21.05.2025, 12.06.2025 dhe 27.06.2025, bartja e të hyrave vetanake ka dështuar sepse asamblistët e Vetëvendosjes votuan kundër, duke paralizuar pagesat për shërbimet esenciale dhe duke dëmtuar funksionimin e kryeqytetit”, thuhet në reagimin e LDK-së.

Kjo parti thekson se pas muajsh “bllokadash të qëllimshme”, VV-ja tani po tenton të paraqesë veten si zgjidhëse të problemit që vetë e ka krijuar.

“Tani, Vetëvendosja del e pretendon se paska ‘zhbllokuar’ vetveten. Ky është modeli i tyre politik: krijo krizë, godit qytetin, pastaj dil në podium e shpall veten hero. Një paturpësi e pastër politike”, potencon LDK.

Tutje, LDK akuzon VV-në se ka qenë “pengmarrëse e kryeqytetit”, duke punuar kundër interesit të Prishtinës për qëllime partiake.

“LDK ka mbrojtur stabilitetin financiar të Prishtinës në çdo seancë, ndërsa VV ka punuar sistematikisht kundër interesit të qytetit. Nuk ka asnjë fakt, asnjë votë dhe asnjë procesverbal që e mbështet narrativën e tyre, përkundrazi, çdo dokument dëshmon bllokimin e tyre të hapur”, thuhet më tej në reagim.

Sipas LDK-së, qytetarët duhet ta dinë se “ata që sot dalin me fjalë të mëdha kanë qenë pengmarrësit e kryeqytetit. Ata që shkaktuan vonesa e rreziqe financiare tani mundohen të fshihen pas pështjellimit propagandistik”.

Në përfundim, LDK rithekson se do të vazhdojë të mbrojë interesin e qytetit “me vendosmëri dhe integritet” dhe se nuk do të lejojë që kryeqyteti të bjerë “pre e taktikave të rrezikshme të Lëvizjes Vetëvendosje”.

Share This