
Kurti takon Gjukanoviqin, flasin për zhvillimet aktuale rajonale e globale
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka pritur sot në takim ish-presidentin e Malit të Zi, Millo Gjukanoviq. Kryeministria ka bërë të ditur se në takim u diskutua për zhvillimet aktuale rajonale e globale.
“Gjukanoviq i uroi kryeministrit fitoren në zgjedhje, duke theksuar rëndësinë e proceseve demokratike dhe për mbështetjen e qytetarëve ndaj vizionit qeverisës. Në takim u diskutua për zhvillimet aktuale rajonale dhe globale, me fokus në situatën e sigurisë dhe dinamikat që ndikojnë në Ballkanin Perëndimor”, thuhet në njoftimin e Kryeministrisë për këtë takim.
Tutje në njoftim thuhet se kryeministri në detyrë gjatë këtij takimi ka theksuar angazhimin e Qeverisë për avancimin e marrëdhënieve të mira fqinjësore, për paqe të qëndrueshme dhe për forcimin e bashkëpunimit rajonal, në funksion të paqes dhe sigurisë dhe perspektivës evropiane të rajonit.
“Qeveria e re do të vazhdojë ta ketë synim të palëkundur integrimin euro-atlantik dhe prioritet zhvillimin ekonomik, mirëqenien e qytetarëve dhe sigurinë e tyre, pa dallim”, thuhet në njoftimin e Kryeministrisë.


