
Çeferin uron Ademin për rizgjedhjen, vlerëson progresin e futbollit kosovar
Presidenti i UEFA-s, Aleksander Çeferin, ka uruar presidentin e Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, për rizgjedhjen e tij në krye të institucionit më të lartë të futbollit në vend.
Agim Ademi është rizgjedhur president i Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK) për një mandat tjetër katërvjeçar, pas votimit të zhvilluar sot në Kuvendin Zgjedhor të federatës.
Ademi ishte kandidati i vetëm dhe nga 52 delegatë, ai mori të gjitha 52 votat pro, pa asnjë kundër apo abstenim.
Në një letër zyrtare dërguar Ademit, Çeferin ka vlerësuar progresin e vazhdueshëm të futbollit kosovar, si në konkurrencat e femrave ashtu edhe të meshkujve, duke theksuar se Kosova po hyn në një moment historik me Kombëtaren që po garon për herë të parë për kualifikim në Kupën e Botës.
“I nderuar zoti President, i dashur Agim, Jam i lumtur t’ju përcjell urimet e mia pas rizgjedhjes suaj sot si President i Federatës së Futbollit të Kosovës. Rritja dhe zhvillimi me një ritëm shumë të qëndrueshëm janë të dukshme qartë në futbollin e femrave – dhe në futbollin e meshkujve, për herë të parë, së shpejti do ta shohim Kombëtaren të garojë në ‘play-off’ për një vend në Kupën e Botës, duke shënuar një moment shumë të veçantë në kohën e duhur për futbollin në Kosovë”, ka shkruar ai. “Ju uroj çdo të mirë, Agim, teksa hyni në kapitullin e ardhshëm emocionues që ju pret”.


