Kurti takon ambasadorin gjerman: Nevojitet konstituim i shpejtë i Kuvendit

Kurti takon ambasadorin gjerman: Nevojitet konstituim i shpejtë i Kuvendit

Kryeministri në detyrë Albin Kurti, takoi sot ambasadorin e Gjermanisë në Kosovë, Jörn Rohde. Sipas njoftimit nga Kryeministria, ata diskutuan për marrëdhëniet bilaterale ndërmjet Kosovës dhe Gjermanisë dhe bashkëpunimin në shumë fusha, e në veçanti në fushën e sundimit të ligjit.

“Gjatë takimit, ambasadori Rohde u interesua për çështjen e konstituimit të Kuvendit dhe marrëveshjeve ndërkombëtare që presin miratim. Me këtë rast, kryeministri theksoi nevojën dhe rëndësinë që konstituimi i legjislaturës së nëntë të përmbyllet sa më shpejtë me zgjedhjen e kryesisë së Kuvendit. Ai numëroi përpjekjet dhe veprimet e ndërmarra për konstituimin e Kuvendit duke përfshirë edhe takimin me liderët e partive politike në kuvend dhe takimin e ftuar nga presidentja e vendit, në dritën e aktgjykimit të fundit të Gjykatës Kushtetuese”, thuhet në njoftimin e Kryeministrisë, raporton rtk.

Tutje theksohet se Kurti foli edhe për kërcënimin me bombë ndaj Kuvendit të Kosovës që u regjistrua gjatë fundjavës që shkoi.

“Ai theksoi faktin se institucionet e sigurisë kanë vërtetuar se numri i telefonit nga i cili është bërë kërcënimi është i regjistruar në Serbi dhe i përket kompanisë telefonike MTS, duke konfirmuar kështu që origjina e kërcënimit është në Serbi”, thuhet tutje në njoftim.

Share This