Kurti takim me Sorensen, bisedime mbi integrimin dhe zhvillimet politike në Kosovë

Kurti takim me Sorensen, bisedime mbi integrimin dhe zhvillimet politike në Kosovë

I dërguari i posaçëm i BE-së për dialogun Kosovë- Serbi Peter Sorensen qëndroi në Prishtinë ku zhvilloi një takim pune me kreun e qevereisë Albin Kurti.

“U diskutua për procesin e integrimit në Bashkimin Evropian, përfshirë linjëzimin e plotë të politikës së jashtme me bllokun 27-anëtarësh si përcaktim strategjik, si dhe angazhimin dhe përkushtimin e Kosovës në përmbushjen e reformave. Në kontekst të integrimit evropian u diskutua edhe për procesin e anëtarësimit në Këshillin e Evropës.”- thuhet në njoftimin e publikuar në faqen e Zyrës së Kryeministri të Kosovës.

“Kurti dhe Sorensen diskutuan gjithashtu edhe mbi aktualitetin politik dhe zhvillimet e brendshme.”- nënvizon njoftimi pa dhënë detaje nëse ishte diskutuar edhe mbi dialogun me Serbinë.

I dërguari i BE-së Sorensen nisi vizitën në Prishtinë, pasi më 9 prill ai qëndroi në Beograd më 9 prill, ku u takua me presidentin serb Aleksandër Vuçiç.

Normalizimi i raporteve mes Kosovës dhe Serbisë, mbetet kusht i BE-së për të dyja vendet në rrugën e tyre evropiane, por një takim i nivelit të lartë mes palëve nuk është zhvilluar që nga shtatori i vitit 2023, disa ditë para sulmit të Banjskës, ku një grup i armatosur serbësh, vrau oficerin e Policisë së Kosovës Afrim Bunjaku.

Shefja e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Kaja Kallas paralajmëroi në mes të muajit të kaluar se është e gatshme ta ndërmjetësojë një takim të nivelit të lartë mes Kosovës dhe Serbisë.

Kosova dhe Serbia zhvillojnë dialog për normalizim të raporteve, nën ndërmjetësimin e BE-së, që nga viti 2011.

Palët kanë arritur një sërë marrëveshjesh, përfshirë marrëveshjen e Ohrit, e cila ende nuk është zbatuar. /rtsh/

Share This