
Kurti-Sorensen, detajet e takimit
Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka pritur në takim përfaqësuesin e posaçëm të BE-së për dialogun Kosovë–Serbi, Peter Sorensen, së bashku me zëvendësministrin në detyrë të Jashtëm, Kreshnik Ahmeti.
Në takim u diskutua për gjendjen e komuniteteve joshumicë, me theks të veçantë për komunitetin serb, dhe për ecurinë drejt zbatimit të marrëveshjeve të Brukselit dhe Ohrit.
Kurti njoftoi se që nga prilli 2024, mbi 800 qytetarë janë punësuar në komunat veriore përmes programit “Qeveria për Familjet”, ndërsa që nga janari 2024 janë regjistruar mbi 430 biznese të reja. Ai shtoi se rreth 200 policë të rinj serbë tashmë janë integruar në Policinë e Kosovës.
Kryeministri theksoi se nuk është shënuar asnjë incident ndërmjet punëtorëve shqiptarë dhe serbë në dy vitet e fundit, duke e cilësuar këtë si dëshmi të integrimit të suksesshëm të komuniteteve.
Në fund, Kurti ngriti shqetësimin për retorikën kërcënuese të liderëve të Serbisë dhe arrestimet arbitrare të qytetarëve të Kosovës që kalojnë tranzit nëpër Serbi, duke kërkuar reagim të qartë nga bashkësia ndërkombëtare.


