
Kurti publikon video nga arsenali i FSK-së: Panzerfaust 3 pjesë e kapaciteteve mbrojtëse të Kosovës
Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka publikuar një video nga arsenali mbrojtës i Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), duke bërë të ditur se sistemi raketor antitank gjerman Panzerfaust 3 tashmë është pjesë e kapaciteteve të saj.
Kurti ka theksuar se kjo blerje është realizuar gjatë mandatit të Qeverisë së tij dhe përfaqëson një investim të rëndësishëm në forcimin e mbrojtjes së vendit.
“Sistemi raketor antitank gjerman Panzerfaust 3 pjesë e arsenalit mbrojtës së FSK-së. Gjatë mandatit tonë, Ministria e Mbrojtjes, përveç të tjerash, ka realizuar edhe një blerje tjetër të rëndësishme për forcimin e kapaciteteve mbrojtëse të Republikës së Kosovës”, ka shkruar Kurti.
Ai ka shtuar se Panzerfaust 3 është një nga sistemet më të avancuara dhe më të besueshme të këtij lloji, i cili përdoret edhe nga ushtritë e vendeve anëtare të NATO-s.
Sipas Kurtit, investimet në mbrojtje janë thelbësore për sigurinë e shtetit.
“Investimi në mbrojtje është investim për paqen, sovranitetin dhe integritetin e Republikës sonë”, ka përfunduar ai.


