Balotazhi hapet me përplasje të forta, Kurti: “S’ka fonde për kryetarët që nuk punojnë” – reagojnë ashpër Rama dhe Abdixhiku​

Balotazhi hapet me përplasje të forta, Kurti: “S’ka fonde për kryetarët që nuk punojnë” – reagojnë ashpër Rama dhe Abdixhiku​

Në hapje të fushatës për balotazh, kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka deklaruar se si kryeministër nuk do të ndajë fonde për kryetarë komunash që, sipas tij, “nuk punojnë mirë apo vjedhin”.

“Ne kemi premtuar dhe do ta mbajmë fjalën – 1 miliard euro investime për komunat, por ju e dini, unë nuk e jap buxhetin e shtetit dhe paratë e taksave për ata kryetarë që nuk dinë të punojnë mirë apo për ata që vjedhin. Mos i votoni ata që nuk dinë e nuk e duan punën, as ata që dinë e duan të vjedhin, me ata nuk ka investime as zhvillim, siç nuk ka pasur për 20 vite pas luftës”, tha Kurti.

Deklaratat e tij kanë nxitur reagime të menjëhershme nga kundërshtarët politikë.

Kryetari aktual i Prishtinës, Përparim Rama, e ka cilësuar këtë qëndrim si “kërcënim shtetëror ndaj qytetarëve”.

“Deklaratat e Albin Kurtit janë kërcënim i hapur ndaj demokracisë dhe qytetarëve të Kosovës. Askush nuk ka të drejtë t’i frikësojë qytetarët me buxhetin e tyre! Paratë publike nuk janë pronë e Kurtit, as e ndonjë partie – janë pronë e popullit të Kosovës. Kurti po i përdor investimet shtetërore si mjet shantazhi elektoral. Kjo është e turpshme, e rrezikshme dhe në kundërshtim me çdo parim demokratik,” ka shkruar Rama.

Ai shtoi se si kryetar i Prishtinës “nuk do të heshtë përballë një mentaliteti autokratik që ndan qytetarët në ‘tanët’ dhe ‘të tjerët’”.

Edhe kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, reagoi ndaj fjalëve të Kurtit, duke i cilësuar ato si përpjekje për bllokim politik.

“Nuk do t’iu vijë rendi të ndalni asgjë, nuk do t’iu vijë rendi të bllokoni më askënd. Me një Prishtinë që po ndriçohet si asnjëherë më parë nga LDK dhe qeverisja jonë këtu, le të nisim javën e madhe të balotazhit. Të dielën, më 9 nëntor, Prishtina flet e para dhe i jep përgjigjen e madhe kryepopullistit që veç bllokim e kërcënim për bllokim nuk ofron asgjë,” ka shkruar Abdixhiku.

Ai përmbylli reagimin e tij me fjalët: “Prishtina flet e para! Pas saj le të flasë e gjithë Kosova. Dritë do të ketë!”/Telegrafi/

Share This