Izraeli dhe SHBA sulmojnë Iranin, shpërthime në shumë qytete. Teherani kundërpërgjigjet me raketa

Izraeli dhe SHBA sulmojnë Iranin, shpërthime në shumë qytete. Teherani kundërpërgjigjet me raketa

Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli nisën sot (28 shkurt) një fushatë ushtarake ndaj territorit të Republikës Islamike të Iranit, duke e shtyrë Lindjen e Mesme drejt një tjetër përballjeje ushtarake dhe duke shuar shpresat për një zgjidhje diplomatike ndaj mosmarrëveshjeve që Teherani ka pasur prej kohësh me Perëndimin në lidhje me programin e tij bërthamor.

Sulmet e së shtunës, që shënjestruan pesë qytete përfshirë kryeqytetin Teheran, u ndërmorën pasi Izraeli dhe Irani patën një luftë 12-ditore në qershorin e shkuar. Ato vijnë pas paralajmërimeve të përsëritura të SHBA-së dhe Izraelit se këto dy vende do ta godisnin sërish Iranin nëse ai nuk kufizonte programin bërthamor dhe atë raketor balistik.

“Shteti i Izraelit ndërmori një sulm parandalues ndaj Iranit për të eliminuar rreziqet ndaj shtetit të Izraelit,” u shpreh ministri izraelit i Mbrojtjes, Israel Katz. Zyrtarë izraelitë u shprehën për mediat e huaja se operacioni kishte muaj që po planifikohej në koordinim me Uashingtonin dhe se data e nisjes së tij ishte vendosur javë më parë, ndërsa Izraeli po përgatitej për disa ditë sulmesh ndaj Iranit.

Sulmit amerikano-izraelit, Republika Islamike iu kundërpërgjigj duke lëshuar raketa dhe dronë ndaj Izraelit, por edhe ndaj vendeve aleate të SHBA-së në Gjirin Persik, si Katari, Bahreini dhe Emiratet e Bashkuara Arabe. Në Bahrein u shënjestrua qendra e shërbimit e Flotës së Pestë të Marinës Amerikane. Pas këtyre sulmeve, Izraeli goditi shënjestrat e regjimit klerik në perëndim të Iranit.

Në muajin qershor, SHBA-të iu bashkuan një fushate ushtarake izraelite ndaj objekteve bërthamore iraniane, në veprimin më të drejtpërdrejtë ushtarak që SHBA kishte ndërmarrë ndonjëherë ndaj Republikës Islamike. Teherani u kundërpërgjigj duke lëshuar raketa ndaj bazës ajrore amerikane Al Udeid në Katar. Fuqitë perëndimore kanë paralajmëruar se projekti raketor balistik i Iranit kërcënon qëndrueshmërinë rajonale dhe mund të rezultojë në prodhim armësh bërthamore, gjë që është mohuar nga Teherani. /rtsh/

Share This