
Irani godet bazat amerikane në Gjirin Persik, përshkallëzohet tensioni me SHBA
Tensionet mes Iranit dhe Shteteve të Bashkuara janë përshkallëzuar pas një serie sulmesh të ndërsjella ushtarake në Lindjen e Mesme.
Ushtria iraniane deklaroi se ka ndërmarrë sulme me dronë dhe raketa ndaj bazave ushtarake amerikane në rajonin e Gjirit Persik, përfshirë objekte në Kuvajt dhe një bazë ajrore amerikane në Jordani. Teherani pretendoi se baza në Jordani ishte përdorur edhe për sulme ndaj objektivave në Iran, përfshirë një zonë pranë një spitali ku trajtohen fëmijë të prekur nga kanceri.
Sulmet iraniane erdhën pas operacioneve ajrore amerikane ndaj objektivave në Republikën Islamike gjatë natës së kaluar.
Përplasjet e fundit ndodhën pasi presidenti amerikan Donald Trump paralajmëroi Teheranin se do të përballej me masa të tjera ushtarake nëse nuk rikthehej në tryezën e bisedimeve për një marrëveshje që synon t’i japë fund konfliktit në Lindjen e Mesme.
Nga ana tjetër, kryenegociatori iranian Mohammad Bagher Ghalibaf deklaroi se Irani nuk do të pranojë marrëveshje që nuk janë në interesin e vendit, duke iu referuar edhe memorandumit të mirëkuptimit të nënshkruar së fundmi mes palëve.
Ghalibaf theksoi se siguria kombëtare e Iranit lidhet edhe me kontrollin e rregullave të vendosura nga Teherani në Ngushticën e Hormuzit, një nga rrugët më të rëndësishme detare për transportin global të naftës dhe gazit.
Pas rinisjes së sulmeve, Shtetet e Bashkuara kanë rivendosur bllokadën ndaj porteve iraniane, ndërsa Garda Revolucionare e Iranit ka paralajmëruar se mund të ndërmerren masa të tjera ndaj rrugëve të eksportit të energjisë në rajon, pa specifikuar se cilat korridore do të preken. /rtsh/

