Trump: Konflikti me Iranin mund të përfundojë pas zgjedhjeve të nëntorit

Trump: Konflikti me Iranin mund të përfundojë pas zgjedhjeve të nëntorit

Presidenti i ShBA-së, Donald Trump, ka deklaruar se nuk pret që lufta me Iranin të përfundojë para zgjedhjeve afatmesme të nëntorit, duke paralajmëruar njëkohësisht se edhe çmimet e naftës mund të mbeten të larta deri atëherë.

Duke folur të mërkurën, Trump tha se beson se konflikti do të përfundojë menjëherë pas zgjedhjeve, pasi, sipas tij, Teherani nuk do të jetë më në gjendje të vazhdojë.

Deklaratat u bënë gjatë udhëtimit të tij drejt Teksasit, ku po zhvillohet konventa e parë e Partisë Republikane për zgjedhjet afatmesme. Këto zgjedhje mund të ndikojnë në ndryshimin e balancës së pushtetit në qeverinë amerikane.

Trump po përballet me rënie në sondazhe, si dhe me presion brenda Partisë Republikane për t’i dhënë fund luftës me Iranin. Ndërkohë, të mërkurën çmimi i naftës u rrit në 100 dollarë për fuçi, niveli më i lartë që nga korriku, për shkak të intensifikimit të luftimeve në Lindjen e Mesme.

“Menjëherë pas zgjedhjeve, çmimet e naftës do të fillojnë të bien ndjeshëm”, u tha Trump gazetarëve, duke shtuar se mendon se lufta do të zgjasë “pak më shumë se zgjedhjet afatmesme”, shkruan BBC, transmeton Klankosova.tv.

Presidenti amerikan pretendoi gjithashtu se Irani është “i dëshpëruar” për të ndikuar në zgjedhjet amerikane, në mënyrë që, sipas tij, të fitojnë një grup më i dobët njerëzish, duke iu referuar me sa duket demokratëve, dhe më pas Irani të lihet i lirë të zhvillojë armë bërthamore.

Trump nuk paraqiti prova për këtë pretendim. Teherani, ndërkaq, ka mohuar vazhdimisht se synon të zhvillojë armë bërthamore.

Gjatë konventës në Teksas, Trump përsëriti qëndrimin e tij, duke thënë se çmimi i naftës do të bjerë ndjeshëm “sapo ta fitojmë luftën me Iranin”.

Në fjalimin e tij, ai përmendi edhe pakënaqësinë e disa qytetarëve amerikanë lidhur me luftën dhe rritjen e çmimeve të karburanteve. Sipas Trump, disa prej tyre i janë drejtuar duke i thënë: “Do të doja të mos e kishe nisur luftën në Iran. Tani benzina është shtrenjtuar”.

Share This