Interi triumfon në Parma, ‘blindon’ kreun e Serie A

Interi triumfon në Parma, ‘blindon’ kreun e Serie A

Interi ka vazhduar formën e shkëlqyer në Serie A, duke regjistruar fitoren e gjashtë radhazi pas triumfit 2-0 në transfertë ndaj Parmës, fitore kjo që i forcon pozitën e parë në renditjen e kampionatit italian.

Skuadra e drejtuar nga Cristian Chivu dominoi pothuajse të gjithë pjesën e parë, por u përball me rezistencë të fortë nga vendasit. Zhbllokimi i rezultatit erdhi në mënyrë të papritur, kur Federico Dimarco realizoi një goditje diagonale të saktë, duke i dhënë epërsinë “Nerazzurrëve”.

Në minutat e fundit, Marcus Thuram, i futur si zëvendësues, vulosi fitoren e Interit me golin e shënuar në kohën shtesë, duke e çuar rezultatin përfundimtar në 2-0.

Parma, pavarësisht përpjekjeve, nuk arriti të jetë në nivelin e kërkuar për t’u përballur me liderin e kampionatit, duke lënë përshtypjen se ende nuk është gati për elitën e futbollit italian.

Me këtë fitore, Interi siguron vendin e parë në Serie A, pavarësisht rezultatit që do të arrijë Milani në ndeshjen e fundit të javës së 19-të ndaj Genoas.

Në ndeshjet e tjera të zhvilluara, Lazio dhe Fiorentina u ndanë në barazim spektakolar 2-2, ndërsa Udinese arriti një fitore të rëndësishme në transfertë ndaj Torinos me rezultat 2-1.

Share This