IHMK paralajmëron ndryshim të theksuar të motit: Ulje temperaturash, reshje bore dhe rrezik nga ngricat

IHMK paralajmëron ndryshim të theksuar të motit: Ulje temperaturash, reshje bore dhe rrezik nga ngricat

Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës (IHMK) ka njoftuar për një ndryshim të theksuar të kushteve meteorologjike në vend, i cili do të karakterizohet me ulje të ndjeshme të temperaturave, reshje bore dhe rrezik të shtuar nga ngricat.

Sipas njoftimit, gjatë orëve të para të ditës së enjte, reshjet aktuale të shiut pritet të kalojnë gradualisht në reshje bore, fillimisht në zonat kodrinore-malore dhe më pas edhe në viset e ulëta.

“Pas reshjeve të dendura të shiut gjatë tri ditëve të fundit, veçanërisht në Rrafshin e Dukagjinit dhe me intensitet disi më të ulët edhe në Rrafshin e Kosovës, gjatë natës së sontme pritet një ndryshim gradual i kushteve meteorologjike. Analizat sinoptike dhe vëzhgimet aktuale tregojnë rënie të presionit atmosferik, duke sinjalizuar afrimin e një sistemi frontal aktiv mbi rajonin tonë”, thuhet në njoftim.

IHMK bën të ditur se do të ketë edhe ndryshim të drejtimit të erës, e cila nga juglindja do të kalojë në drejtim të veriut dhe veriperëndimit, duke mundësuar depërtimin e masave ajrore të ftohta me origjinë veriore. Ky proces do të shoqërohet me rënie të ndjeshme të temperaturave në të gjitha rajonet e Kosovës.

Si pasojë e këtyre zhvillimeve, reshjet e shiut do të shndërrohen në reshje bore pas mesnatës. Në viset malore bora tashmë është e pranishme dhe në disa lokalitete po shënohen reshje të dendura, të cilat pritet të vazhdojnë edhe në ditët në vijim, ndërsa shtresë bore pritet të krijohet edhe në zonat fushore.

Instituti paralajmëron se temperaturat minimale do të zbresin nën zero gradë Celsius, sidomos gjatë natës dhe orëve të hershme të mëngjesit, duke krijuar kushte të favorshme për formimin e ngricave në rrugë, trotuare, ura dhe sipërfaqe të tjera të ekspozuara ndaj lagështisë.

“Ngricat, të kombinuara me shtresat e borës dhe erërat e ftohta, pritet të ndikojnë negativisht në sigurinë e qarkullimit rrugor. Vështirësi më të theksuara priten në rrugët malore, akset dytësore dhe zonat me reliev të thyer”, thekson IHMK.

Autoritetet për mirëmbajtjen e rrugëve janë këshilluar të jenë në gatishmëri të shtuar, ndërsa pjesëmarrësit në trafik të përdorin pajisje dimërore, të respektojnë distancën e sigurisë dhe të përshtatin shpejtësinë me kushtet reale të rrugës.

Po ashtu, IHMK paralajmëron se këto kushte meteorologjike mund të kenë ndikim edhe në sektorë të tjerë, përfshirë bujqësinë, furnizimin me energji elektrike dhe aktivitetet e përditshme, duke u bërë thirrje qytetarëve që të ndjekin njoftimet zyrtare dhe të ndërmarrin masa parandaluese për mbrojtjen e pronës dhe sigurisë personale.

Share This