“I presim me padurim”, Hamza përmend Thaçin, Veselin, Krasniqin e Selimin

“I presim me padurim”, Hamza përmend Thaçin, Veselin, Krasniqin e Selimin

Kandidati për kryeministër i PDK-së, Bedri Hamza, në tubimin e tij përmbyllës, ka thënë se Partia Demokratike e Kosovës e di çfarë do të thotë përgjegjësi.

“Ne kemi qenë aty në momentet më të vështira të vendit. Kemi qenë aty kur Kosova ndërtohej nga themelet. Kemi qenë aty kur shteti duhej shpallur, ndërtuar dhe mbrojtur. Kemi qenë aty kur duhej të merreshin vendime të mëdha për lirinë, pavarësinë, institucionet dhe të ardhmen euroatlantike të Kosovës. Dhe sot, përsëri, kur Kosova ka nevojë për seriozitet, për bashkim dhe për drejtim, ne jemi këtu. Jemi këtu me njerëz që kanë përvojë. Jemi këtu me njerëz që dinë të qeverisin. Jemi këtu me një program që prek jetën e secilit qytetar. Jemi këtu me respekt për të kaluarën, me përgjegjësi për të tashmen dhe me plan për të ardhmen.”, ka thënë Hamza, raporton ER.

Në këtë rrugë, Hamza ka thënë se nuk i harrojnë ata që sakrifikuan për këtë vend.

“Nuk i harrojmë themeluesit, luftëtarët, kontribuuesit dhe të gjithë ata që dhanë gjithçka që Kosova të jetë e lirë. Nuk i harrojmë as liderët tanë që sot nuk janë fizikisht mes nesh, por vendin e tyre në historinë e Kosovës nuk mund ta marrë asnjë padrejtësi. Presidenti Thaçi, kryetari Veseli, baci Jakup e Rexha do të kthehen edhe më të fortë. I presim me padurim. Na ka marrë malli për ta dhe i duhen Kosovës. Dhe Kosova, me ta, do të ecë më e bashkuar përpara.”, ka thënë ai.

Më pas, Hamza ka thënë se nuk do të flasë vetëm për të kaluarën e lavdishme, por edhe për të ardhmen e lavdishme që e kemi përpara.

“Për një Kosovë ku fëmijët tanë marrin arsim më të mirë. Për një Kosovë ku pacienti nuk pret me muaj për të marrë shërbim shëndetësor. Për një Kosovë ku biznesi nuk shihet si armik, por si partner. Për një Kosovë ku fermeri, punëtori, mësuesi, mjeku, polici, ushtari, pensionisti dhe studenti ndihen të respektuar nga shteti i tyre. Për një Kosovë ku institucionet nuk janë në shërbim të një partie, por në shërbim të qytetarit. Për një Kosovë që bashkëpunon me aleatët, forcon miqësitë dhe mbron interesin kombëtar me mençuri, jo me improvizim. Kjo është Kosova që duam. Kjo është Kosova që e meritojmë. Kjo është Kosova për të cilën do të punojmë çdo ditë.”, ka thënë ai.

 

Share This