
Hoti: LDK-ja ka parandaluar dëmet e shkaktuara nga qeverisja e VV-së
Ish-kryeministri dhe nënkryetari i LDK-së, Avdullah Hoti, ka reaguar ndaj zhvillimeve të fundit politike, duke thënë se Lidhja Demokratike e Kosovës gjatë katër viteve të fundit ka qenë e detyruar të fokusohet në parandalimin e dëmeve të shkaktuara nga qeverisja e Vetëvendosjes.
Hoti thekson se LDK ka punuar për të mbrojtur ekonominë, shoqërinë dhe integritetin shtetëror të Kosovës nga, siç i quan ai, vendimet arbitrare të qeverisë Kurti, ligjet jokushtetuese të miratuara në Kuvend dhe vendimet joligjore të agjencive të pavarura.
Sipas tij, nëse Kosova do të kishte një qeverisje normale, demokratike dhe proevropiane, opozita do të ishte përqendruar në rekomandime për avancimin e politikave publike dhe në mbikëqyrjen e zbatimit të tyre. Por Hoti thotë se realiteti ka qenë ndryshe.
“LDK-ja është detyruar të dërgojë shumë ligje në Gjykatën Kushtetuese, më shumë se në çdo periudhë tjetër parlamentare. Shumica e tyre janë shpallur jokushtetuese,” ka shkruar ai.
Duke komentuar edhe ankesën e LDK-së në PZAP ndaj vendimit të KQZ-së për votimin e diasporës jashtë përfaqësive diplomatike, Hoti tha se votimi në objekte private në shtete të huaja cenon integritetin zgjedhor.
“Është naive të mendohet se mund të garantohet integriteti i votimit në objekte private. Ankesën duhet ta shohim si mbrojtje të integritetit të procesit zgjedhor dhe të shtetit,” deklaron ai.
Hoti kritikoi reagimet ndaj këtij vendimi, duke thënë se në vend të respektimit të PZAP-së, disa zyrtarë të qeverisë po sulmojnë LDK-në.
“Këta nuk e kuptojnë esencën e integritetit shtetëror. Çdo debat me ta është i kotë. Përbuzësit e shtetit duhet larguar me votë,” përfundon reagimi i tij.


