Haxhiu: Deklarata e deputetit Geci e rëndë e përçarëse

Haxhiu: Deklarata e deputetit Geci e rëndë e përçarëse

Të rëndë, përçarëse e të papranueshme e ka quajtur kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu gjuhën e përdorur dy ditë më parë në sallën plenare nga deputeti, Fatos Geci.

Ajo tha se krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës po mbahen padrejtësisht në Hagë.

“Siç e keni parë të gjithë në seancën e kaluar kam ndërhyrë në fjalën e deputetit Geci, sepse ajo deklaratë ishte e rëndë, ishte përçarëse dhe e  papranueshme. Dua të ritheksoj se krerët e Ushtrisë çlirimtare të Kosovës po mbahen padrejtësisht në Hagë dhe uroj që vendimi i gjykatës do ta korrigjojë  padrejtësinë e madhe të Prokurorisë së Specializuar”, deklaroi Haxhiu nga foltorja e Kuvendit, në fjalën e saj para se të niste seanca me pikat e planifikuara në rend dite.

Kryekuvendarja ka thënë se nuk do të lejojë që foltorja e Kuvendit që të përdoret për sulme të tila.

“Si kryetare e Kuvendit e dënoj pa asnjë mëdyshje këtë gjuhë dhe e bëj të qartë se nuk do të lejoj që foltorja e Kuvendit të përdoret për sulme të tilla. Le të debatojmë me argumente, me ide, por assesi me qëndrime që e cenojnë luftën tonë çlirimtare dhe ata që i dolën zot këtij vendi në kohën dhe në periudhat më të vështira për vendin tonë”.

Haxhiu tha se lufta e UÇK-së ishte luftë e drejtë për liri, ishte e pastër dhe e shenjtë. “Çdo tentim për ta zbehur apo për ta njollosur atë është i papranueshëm nga kushdo që bëhet”, deklaroi Haxhiu, raporton rtk.

Gjithashtu, Haxhiu ka dënuar edhe gjuhën seksiste të përdorur nga deputeti i partisë Guxo, ndaj nënkryetares së Kuvendit, Vlora Çitaku.

“Kuvendi i Kosovës nuk është e nuk do të bëhet kurrë arenë e sulmeve gjinore, gjuha seksiste dhe poshtëruese ndaj grave në politike, por edhe ndaj çdo vajze e gruaje shoqërinë tonë është e papranueshme dhe e turpshme. Asnjëherë nuk do të hesht përballë kësaj gjuhe dhe nuk do të lejoj që ajo të normalizohet në Kuvendin e   Republikës. Deputetet në këtë sallë janë përfaqësuese të zgjedhura të qytetarëve. Kushdo që i nënçmon ato e nënçmon drejtpërdrejt edhe votën e qytetarëve. Kush ka argumente le t’i paraqesë ato, kush ka mos[pajtime le t’i shpreh hapur, por fyerja , pagjykimi dhe nënçmimi nuk janë debat dhe ato nuk od të tolerohen asnjëherë. Si kryetare e kuvendit kërkoj nga secili deputet ta ruaj nivelin që kërkon institucioni.

U bëj thirrje të gjithëve të ruani dinjitetin e kësaj salle e të gjithë bashkë të dëshmojmë se jemi përfaqësues të denjë të interesave të qytetarëve.

Deputeti Geci në seancë dy ditë më parë derisa përshëndeti vendimin e gjykatës për burgim të përjetshëm ndaj, Naim Murselit, ka thënë se i njëjti fat do ta përcjellë edhe Hashim Thaçin.

Share This