Hamza sqaron raportet me Ramiz Lladrovcin: Askush s’e ka përjashtuar nga PDK, do të vazhdojmë bashkë

Hamza sqaron raportet me Ramiz Lladrovcin: Askush s’e ka përjashtuar nga PDK, do të vazhdojmë bashkë

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, në konferencën e sotme për media ka komentuar tensionet e krijuara mes PDK-së dhe kryetarit të Drenasit, Ramiz Lladrovci, që dolën në pah gjatë zgjedhjeve të fundit lokale.

Hamza tha se brenda partisë nuk ekziston asnjë vendim që e përjashton Lladrovcin nga PDK, duke hedhur poshtë raportimet se Lladrovci është larguar apo është distancuar zyrtarisht nga partia.

“Tek çështja e Drenasit, Ramiz Lladrovcin kërkush s’e ka përjashtu prej PDK-së. S’ka vendim brenda PDK-së që thotë se Ramiz Lladrovci s’është në PDK,” deklaroi Hamza.

Ai shtoi se është i bindur që bashkëpunimi me Lladrovcin do të vazhdojë dhe se të dy palët do të punojnë për të maksimalizuar votën e PDK-së në zgjedhjet e ardhshme.

“Jam i bindur që ne bashkë do të vazhdojmë, edhe të garojmë edhe ta maksimalizojmë votën për PDK-në,” u shpreh ai.

Deklarata e Hamzës synon të qetësojë situatën pas përplasjeve të fundit dhe të rikthejë fokusin te uniteti brenda PDK-së në prag të procesit zgjedhor.

Share This