Hykmete Bajrami akuzon VV-në për “fushata linçuese”: Pesë vite po ju pres për ballafaqim – faktet po ju çmendin

Hykmete Bajrami akuzon VV-në për “fushata linçuese”: Pesë vite po ju pres për ballafaqim – faktet po ju çmendin

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, ka reaguar ashpër ndaj mbështetësve të Lëvizjes Vetëvendosje dhe Qeverisë Kurti, duke i akuzuar për “fushata linçuese” dhe përdorim të profileve të rreme në rrjete sociale.

Përmes një postimi të gjatë në Facebook, ajo tha se sulmet ndaj saj nuk do ta ndalin dhe se ato vijnë si pasojë e paaftësisë së pushtetit për të përballur “faktet”.

Bajrami deklaroi se prej pesë vitesh pret një debat të drejtpërdrejtë me përfaqësues të VV-së në cilindo televizion, duke i cilësuar ata si “mashtrues dhe shpifës” që “nuk kanë kurajë ta lexojnë drejt marrëveshjen e Brukselit dhe Aneksin e Ohrit”, të cilat sipas saj “vulosin tradhtinë kombëtare të kryeministrit Albin Kurti”.

Ajo kujtoi periudhat kur ka qenë pjesë e tri qeverive të mëparshme, duke përmendur nënshkrimin e MSA-së, rritjen ekonomike, inflacionin e ulët, shkarkimin e ministrit Jabllanoviq, marrëveshjen ekonomike në Shtëpinë e Bardhë dhe njohjen nga Izraeli. Bajrami tha se pavarësisht hetimeve të vazhdueshme nga pushteti aktual, “kurrë nuk është gjetur asnjë shkelje”, pasi siç thekson, “kam punuar me nderë dhe përgjegjësi”.

Deputetja e LDK-së akuzoi Qeverinë Kurti për dështime në çdo sektor – nga ekonomia te shëndetësia e arsimi – si dhe për, siç thotë ajo, thellimin në korrupsion dhe kontrata njëburimore. Ajo ngriti një sërë pyetjesh mbi premtimet e parealizuara të qeverisë:

“Ku janë çerdhet, rrugët, lufta kundër korrupsionit, ulja e çmimeve? Kush po i shmanget Prokurorisë? Kush po i sulmon institucionet?”, pyeti ajo.

Në deklaratën e saj, Bajrami pretendoj se VV-ja është “koordinohet me Milan Radojiçiqin” për çështje të ndryshme, përfshirë votimin e gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese dhe çështjen e veteranëve. Sipas saj, qeveria e ka “faktorizuar” Listën Serbe për t’i përdorur si justifikim për dështimet në qeverisje.

Ajo u ndal edhe te raportet me Serbinë dhe pozicionin e Kosovës, duke theksuar se “kufirin e ruan NATO-ja”, se pakicat nuk kanë rol të vendimmarrjes, si dhe se kushtetuta garanton ulëset e komuniteteve – çka, sipas saj, “nuk mund ta ndryshojë Albin Kurti”. Ajo tha se VV-ja akoma përdor Serbinë dhe Listën Serbe si temë, pasi “ska sukses tjetër për të treguar”.

Në fund të reagimit të saj, Bajrami bëri thirrje për zgjedhje dhe ballafaqim me programe, duke u zotuar se pushteti aktual “do të largohet me votë”.

“Dështimet nuk mund t’i mbuloni me profile fallce. Ka video, ka zë, ka figurë. Le të vijnë zgjedhjet – Kosova meriton më shumë”, përfundoi ajo.

Share This