
Hamza priti ministren Spiropali: Shqipëria ka qenë gjithmonë krah Kosovës
Kryetari i Partia Demokratike e Kosovës, Bedri Hamza, ka pritur sot në takim Ministren për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipëria, Elisa Spiropali, ku u diskutuan zhvillimet politike në Kosovë dhe thellimi i bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve.
Në njoftimin e PDK bëhet e ditur se Hamza shprehu mirënjohjen për përkrahjen e vazhdueshme të Shqipërisë ndaj Kosovës, duke vlerësuar rolin e saj si zë i vendit tonë në forumet ndërkombëtare dhe si përforcuese e zërit kosovar aty ku ai tashmë dëgjohet.
“Shqipëria ka qenë gjithmonë krah Kosovës në momentet kyçe të shtetndërtimit. Mbështetja e saj diplomatike është e çmuar dhe duhet të thellohet edhe më tej”, theksoi Hamza.
Gjatë takimit, u diskutua edhe për situatën politike në vend. Hamza njoftoi se mbetet i hapur për bashkëpunim dhe konstruktivitet për çdo çështje që shërben interesit të Kosovës.
Nga ana e saj, ministrja Spiropali konfirmoi mbështetjen e palëkundur të Shqipërisë dhe rëndësinë e koordinimit të vazhdueshëm në arenën ndërkombëtare.
Gjithashtu, Hamza mirëpriti ftesën e Kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, për bashkëpunim në parandalimin e padrejtësive dhe përpjekjeve për rishkrimin e historisë nga Dhomat e Specializuara në Hagë.
“E vërteta historike e luftës sonë çlirimtare nuk mund dhe nuk duhet të relativizohet. Bashkëpunimi institucional dhe akademik ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë është i domosdoshëm për ta mbrojtur atë me argumente, dokumente dhe prezencë ndërkombëtare”, theksoi Hamza.


