
Gruda i kundërpërgjigjet Konjufcës: Kushtetuesja e ka përcaktuar qartë afatin për konstituimin e Kuvendit
Deputeti i zgjedhur i PDK-së, Përparim Gruda, ka reaguar ndaj deklaratave të kryetarit të Kuvendit, Glauk Konjufca, lidhur me vazhdimin e seancës konstituive dhe pretendimin se një veprim i tillë nuk përbën shkelje kushtetuese.
Gruda ka argumentuar se Gjykata Kushtetuese nuk është institucion ku kërkohet interpretimi i aktgjykimeve të saj, por interpretimi i dispozitave të Kushtetutës.
“Glauk Konjufca, në Gjykatën Kushtetuese shkohet për të interpretuar Kushtetutën, jo për të interpretuar aktgjykimet e Gjykatës Kushtetuese, sepse kjo do të ishte të kërkoje interpretim mbi interpretimin”, ka shkruar Gruda.
Duke iu referuar Aktgjykimit KO124/25, deputeti i PDK-së ka theksuar se Gjykata Kushtetuese, sipas tij, e ka përcaktuar qartë se Kuvendi duhet ta përfundojë procesin e konstituimit brenda 30 ditësh nga certifikimi i rezultateve të zgjedhjeve.
“Gjykata, në Aktgjykimin KO124/25, e ka përcaktuar qartë se brenda 30 ditëve nga data e certifikimit të rezultateve të zgjedhjeve, Kuvendi duhet ta përfundojë konstituimin, e jo vetëm ta fillojë atë, siç po pretendon ti”, ka deklaruar ai.
Gruda ka cituar edhe paragrafin 140 të këtij aktgjykimi, ku Gjykata Kushtetuese sqaron natyrën e afatit 30-ditor të përcaktuar në nenin 66 të Kushtetutës.
Sipas këtij paragrafi, afati 30-ditor nuk duhet të konsiderohet si periudhë brenda së cilës vetëm duhet të provohet konstituimi i Kuvendit, por si afat brenda të cilit konstituimi duhet të përfundojë.
Në fund, Gruda ka vënë në pikëpyetje nevojën që çështja të dërgohet sërish në Gjykatën Kushtetuese për interpretim.
“Pra, kjo çështje është interpretuar një herë nga Gjykata Kushtetuese dhe është interpretuar qartë. Çfarë po kërkon të dërgojmë edhe një herë në Gjykatë? Që Gjykata ta interpretojë interpretimin e vet?”, ka përfunduar Gruda.

