Gjini: Nuk kemi vota për emrat për president në tavolinë, mungon konsensusi

Gjini: Nuk kemi vota për emrat për president në tavolinë, mungon konsensusi

Nënkryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ardian Gjini, pas mbledhjes së Këshillit të Përgjithshëm të AAK-së, ka thënë se kjo parti nuk ka votë për kandidatët që tashmë janë të ditur për president, duke vënë në pikëpyetje mundësinë e arritjes së një marrëveshjeje pa shkuar në zgjedhje të reja.

Pas mbledhjes së Këshillit të Përgjithshëm të AAK-së, Gjini theksoi se nuk po sheh një atmosferë dhe vullnet të sinqertë nga partia më e madhe për të përmbyllur procesin e zgjedhjes së presidentit pa zgjedhje nacionale.

“Deri tash, për këta emra që janë në tavolinë, nuk kemi votë. Nuk po besoj që ekziston një vullnet serioz për ta përmbyllur këtë proces pa zgjedhje. Ajo që po ndodh është përgatitje terreni për t’i akuzuar të tjerët për një dështim të mundshëm,” u shpreh Gjini.

Ai shtoi se gjuha dhe veprimet politike aktuale, sipas tij, kanë  si qëllim të vetëm zhvendosjen e fajit tek palët e tjera.

Sa i përket vendimit të Gjykata Kushtetuese e Kosovës, Gjini nuk dha koment të drejtpërdrejtë, por kritikoi debatet që po zhvillohen rreth tij, duke i cilësuar si të nxitura nga ego politike.

“Sinqerisht, këto analiza më shumë janë çështje egoje,kush fitoi e kush humbi. Aktgjykimi është obligativ nëse duam të ndërtojmë shtet funksional. Por debatet po zhvillohen në frymë egoiste dhe jo për të sjellë zgjidhje konkrete,” deklaroi ai.

Në fund, Gjini theksoi se situata aktuale po shndërrohet në një garë politike për të fajësuar njëri-tjetrin, në vend që të arrihet një konsensus për zgjidhjen e çështjes së presidentit.

Share This