Hamza premton heqjen e TVSH-së për energjinë elektrike: “Energjia nuk është luks, është nevojë bazike”

Hamza premton heqjen e TVSH-së për energjinë elektrike: “Energjia nuk është luks, është nevojë bazike”

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) dhe kandidati për Kryeministër, Bedri Hamza, ka publikuar videon e radhës në kuadër të zotimeve të tij programore, ku fokusi kryesor është ulja e kostos së energjisë elektrike për qytetarët dhe bizneset.

Në mesazhin e tij, Hamza vlerëson se çmimet e energjisë janë shndërruar në një barrë serioze për familjet dhe sektorin privat, duke theksuar se rritja e faturave nuk po shoqërohet me rritje të pagave, çka sipas tij përbën padrejtësi sociale.

“Çmimet e energjisë janë bërë një prej barrëve më të rënda për familjet dhe bizneset. Faturat po rriten, ndërsa paga nuk po mjafton. Kjo është padrejtësi sociale,” deklaron Hamza.

Ai paralajmëron se një nga vendimet e para të tij si Kryeministër do të jetë heqja e TVSH-së për energjinë elektrike, masë që, sipas tij, do të ndikojë drejtpërdrejt në uljen e faturave mujore dhe në lehtësimin e jetesës për qytetarët.

“Kjo do të thotë faturë më të ulët çdo muaj, më shumë qetësi për familjet dhe më shumë lehtësi për secilin prej jush. Energjia nuk është luks. Është nevojë bazike, dhe unë do ta trajtoj si të tillë,” thekson kandidati i PDK-së.

Në fund të videos, Hamza riafirmon angazhimin e tij politik dhe misionin për ndryshim me mesazhin: “Unë jam Bedri Hamza, dhe ky është misioni im. Bashkë. Përpara.”

Zotimi për heqjen e TVSH-së nga energjia elektrike është pjesë e platformës ekonomike të PDK-së, e cila synon uljen e kostos së jetesës, mbështetjen e familjeve dhe krijimin e kushteve më të favorshme për zhvillimin ekonomik të vendit.

Share This