Garanci si të NATO-s për Ukrainën?

Garanci si të NATO-s për Ukrainën?

Bisedimet e paqes mes SHBA-së dhe Rusisë për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë duket se kanë marrë një kthesë të re pas samitit të fundit në Alaska.

Sipas të dërguarit të Presidentit Donald Trump, Steve Witkoff, pala ruse ka bërë “lëshime” domethënëse, duke përfshirë edhe marrëveshjen për një klauzolë sigurie për Ukrainën, të ngjashme me Nenin 5 të NATO-s.

Kjo masë, e përshkruar si një “përparim i madh” nga Witkoff, do t’i mundësonte SHBA-së dhe vendeve të tjera evropiane t’i ofronin Ukrainës mbrojtje kolektive, pa qenë nevoja që ajo të anëtarësohet në NATO, një “vijë e kuqe” e Rusisë. Sipas Witkoff, ky është hapi i parë që Rusia pranon një garanci të tillë.

Nga armëpushim në marrëveshje paqeje

Takimi me Presidentin rus Vladimir Putin ishte aq produktiv, sipas të dërguarit amerikan, saqë Presidenti Trump e ndryshoi qëndrimin e tij nga kërkimi i një armëpushimi të menjëhershëm, në punën për një marrëveshje paqeje afatgjatë.

Witkoff theksoi se bisedimet treguan një “akomodim” më të madh nga ana e rusëve, ndryshe nga bisedimet e mëparshme.

“Ne jemi të vendosur të përpiqemi të arrijmë një marrëveshje paqeje që i jep fund luftimeve përgjithmonë shumë, shumë shpejt,” tha ai.

Lëshime mbi territorin

Witkoff tha se Rusia ka bërë lëshime edhe në kërkesat e saj për shkëmbime territoresh, duke sugjeruar se Moska mund të jetë e gatshme të pranojë vijat aktuale të frontit si bazë për negociata. Për herë të parë, rusët kanë shfaqur një “moderim” në këtë çështje, sipas të dërguarit amerikan, edhe pse ai pranoi se ndryshimet nuk janë të mjaftueshme për një marrëveshje paqeje të plotë. Detajet e këtij lëshimi do të diskutohen me Presidentin ukrainas Volodomyr Zelensky gjatë takimit të tij të ardhshëm në Zyrën Ovale.

Reagimi i Ukrainës: Kërkohet më shumë qartësi

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky reagoi me kujdes ndaj njoftimeve nga takimi në Alaska. Ai falënderoi SHBA-në për mbështetjen e saj, por theksoi se ende kërkon më shumë qartësi mbi natyrën e saktë të “garancive të sigurisë” të diskutuara.

“Ajo që tha Presidenti Trump për garancitë e sigurisë është shumë më e rëndësishme për mua sesa mendimi i (Presidentit rus Vladimir) Putin,” tha Zelensky. Ai shtoi se do të kërkojë detaje nëse garancitë përfshijnë “trupa në tokë” apo mbrojtje ajrore.

Ndërkohë, ende nuk ka një deklaratë zyrtare nga Kremlini mbi karakterizimin e bisedimeve nga administrata Trump. CNN

Share This