
Forcat amerikane godasin një anije të minuar në Paqësorin Lindor – tre persona në bord humbin jetën
Forcat e armatosura të Shteteve të Bashkuara kanë kryer një tjetër operacion vdekjeprurës në Paqësorin Lindor, si pjesë e fushatës kundër trafikimit të drogës.
Sipas Komandës Jugore të SHBA-së, më 20 shkurt një njësi e Task Forcës së Përbashkët Southern Spear ndërmori një “sulm preciz vdekjeprurës” ndaj një anijeje të dyshuar se vepronte për llogari të organizatave të klasifikuara si terroriste.
Nga operacioni u raportua vdekja e tre personave, ndërsa nuk pati viktima nga pala amerikane.
Ky është operacioni i gjashtë i raportuar që nga fillimi i vitit dhe i dyti brenda së njëjtës javë. Vetëm të martën, forcat amerikane goditën tre anije të tjera në Paqësorin Lindor dhe Karaibe, duke vrarë 11 persona.
Numri i përgjithshëm i të vrarëve nga sulmet e Operacionit Southern Edge ka arritur në të paktën 138.
Fushata, e nisur gjatë presidencës së Donald Trump, paraqitet nga Uashingtoni si një masë e domosdoshme për të kufizuar rrjedhën e drogës drejt SHBA-së. Megjithatë, militarizimi i luftës kundër drogës ka ngjallur kundërshtime të forta në Kongres, pasi deri vonë operacionet kryheshin kryesisht nga agjencitë e zbatimit të ligjit dhe Roja Bregdetare, ku të dyshuarit trajtoheshin si shkelës të ligjit me të drejta gjyqësore.
Roja Bregdetare vijon të kryejë sekuestrime dhe bllokime të drogës në Paqësorin Lindor pa përdorimin e forcës vdekjeprurëse, duke u dalluar nga qasja e re ushtarake e zbatuar muajt e fundit. /rtsh/


