Doarsa Kica-Xhelili ndan skenën politike në dy grupe: O e ngrisim shtetin mbi tekat e pushtetit, o presim që tekat të bëhen shtet

Doarsa Kica-Xhelili ndan skenën politike në dy grupe: O e ngrisim shtetin mbi tekat e pushtetit, o presim që tekat të bëhen shtet

Ish-deputetja e LDK-së, Doarsa Kica-Xhelili, ka reaguar lidhur me situatën politike dhe krizën rreth buxhetit, duke bërë një ndarje të qartë në dy grupe të aktorëve politikë në vend.

Sipas saj, grupi i parë ishte i vetëdijshëm se vendi nuk kishte një qeveri legjitime, ndërsa Kuvendi aktual nuk ishte i njëjti që kishte votuar qeverinë. Siç thotë ajo, ky grup e kuptoi se nuk mund të votohej asgjë që do të normalizonte “shkeljet kushtetuese, ligjore dhe populizmin paraelektoral”.

“Shteti pra, është mbi pushtetarët”, shkroi Kica-Xhelili, duke theksuar se ky grup kishte parë rrezikun institucional të vendimeve të tilla.

Në anën tjetër, ajo përshkruan grupin e dytë si atë që, sipas saj, insiston se ligjet nuk vlejnë kur pengojnë partinë në pushtet dhe se Kushtetuta zbatohet selektivisht, varësisht interesit të kryeministrit.

“I gjithë shteti duhet t’i nënshtrohet një mendësie që i mbyll sytë ndaj çdo standardi shtetëror e ligjor, dhe bërtet: Pse s’e votut buxhetin pa analizuar aspektin institucional e ligjor”, theksoi ajo.

Kica-Xhelili shtoi se vendi aktualisht ndodhet përballë një dileme thelbësore:

“O e ngrisim shtetin mbi tekat e pushtetit, o presim që tekat e pushtetit të bëhen shtet”.

Ajo përmbylli reagimin duke theksuar se e ka të qartë se ku qëndron në këtë ndarje, duke nënvizuar rëndësinë fundamentale të mbrojtjes së rendit kushtetues dhe funksionimit institucional të shtetit.

Share This