
Dita e Pavarësisë, Zelensky: Ukrainasit do të jenë gjithmonë në këtë tokë
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, në një fjalim të mbajtur nga Sheshi i Pavarësisë në Kiev me rastin e 34-vjetorit të pavarësisë së vendit, u shpreh me besim dhe vendosmëri për të ardhmen e Ukrainës.
Zelensky theksoi se ukrainasit e festojnë këtë ditë me krenari, mirënjohje dhe synim për ndërtimin e një vendi të sigurt dhe paqësor.
“Ukrainasit ekzistojnë dhe ukrainasit do të jenë në këtë tokë. Në këtë shesh, ku sot qëndrojmë nën flamujt tanë, pas njëqind vitesh do të jenë fëmijët dhe nipërit tanë për të festuar Ditën e Pavarësisë,” deklaroi Zelensky.
Presidenti ukrainas theksoi rëndësinë e çdo simboli në Sheshin e Pavarësisë, duke i përshkruar si dëshmi të qëndresës dhe aspiratës së popullit për liri. Ai nënvizoi se Ukraina nuk do të pranojë më kurrë “kompromise” që sjellin turp dhe se vetëm një paqe e drejtë është e pranueshme.
Zelensky shtoi se Ukraina është tashmë një shtet i pavarur që nuk është viktimë, por luftëtare. Ai theksoi se Ukraina nuk kërkon mëshirë, por ofron aleancë dhe partneritet, duke qenë një vend me një ushtri të fuqishme dhe me teknologji të avancuar.
Ai vuri në dukje se edhe Bashkimi Evropian ka nevojë për Ukrainën, ashtu siç Ukraina ka nevojë për BE-në. Sipas tij, Ukraina sot perceptohet në arenën ndërkombëtare si një aleat i fortë, jo si një i afërm i varfër.
Presidenti ukrainas shprehu besimin se vendi do të sigurojë një paqe të qëndrueshme dhe të garantuar.
“Garancitë tona të sigurisë do të jenë aq të forta, saqë askush nuk do të guxojë të na sulmojë më”, tha ai, duke theksuar se kjo është trashëgimia që Ukraina dëshiron të lërë për brezat e ardhshëm.
Zelensky përfundoi fjalimin duke theksuar se pavarësia po forcohet çdo ditë në fushat e betejës, spitale, shkolla dhe fabrika, ku ukrainasit punojnë për ta mbrojtur dhe zhvilluar vendin e tyre, pavarësisht sfidave, raporton rtk.
Ukraina shënon këtë 24 gusht 34-vjetorin e shpalljes së pavarësisë nga Bashkimi Sovjetik, kur më 1991 parlamenti ukrainas miratoi Aktin e Shpalljes së Pavarësisë.


