Democracy Plus kërkon shkarkimin e Sami Kurteshit dhe Alban Krasniqit nga KQZ pas moscertifikimit të Listës Serbe

Democracy Plus kërkon shkarkimin e Sami Kurteshit dhe Alban Krasniqit nga KQZ pas moscertifikimit të Listës Serbe

Albert Krasniqi nga organizata Democracy Plus ka kërkuar shkarkimin e dy anëtarëve të Lëvizjes Vetëvendosje në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Sami Kurteshi dhe Alban Krasniqi, pas reagimeve të partnerëve ndërkombëtarë lidhur me moscertifikimin e Listës Serbe për zgjedhjet e 28 dhjetorit.

Sipas Krasniqit, veprimet e dy anëtarëve të LVV-së kanë shfaqur mosnjohje elementare të ligjeve dhe kanë synuar dëmtimin e procesit zgjedhor, duke cenuar integritetin e KQZ-së dhe besimin publik në zgjedhje.

“Mjafton të lexohen reagimet e fundit të shteteve mike të Kosovës për të kuptuar qartë se si po vlerësohen veprimet e tyre destruktive. Këta dy anëtarë po i shkaktojnë dëm të drejtpërdrejtë integritetit të KQZ-së dhe besimit publik në procesin zgjedhor”, ka shkruar Krasniqi.

Ai rikujton se ligji parasheh mundësinë e ndërprerjes së mandatit të një anëtari të KQZ-së kur sjelljet ose veprimet e tij dëmtojnë seriozisht statusin dhe integritetin e Komisionit, duke u marrë vendim me shumicë prej dy të tretave të anëtarëve.

“Dy anëtarët e emëruar nga LVV kanë shfaqur sjellje që ose tregojnë mosnjohje elementare të ligjeve, ose synim të ndërgjegjshëm për të dëmtuar procesin zgjedhor. Çdo njëra prej këtyre mjafton për t’i shkarkuar nga detyra – dhe rastet e grumbulluara deri më tani janë të shumta. Ndërsa anëtarët tjerë duhet të tregojnë më shumë guxim dhe t’i qëndrojnë prapa betimit të dhënë për paanshmëri dhe profesionalizëm”, shtoi Krasniqi.

Ky reagim vjen pas tensioneve të rritura lidhur me certifikimin e Listës Serbe dhe sfidat që po përballen institucionet zgjedhore para zgjedhjeve të 28 dhjetorit.

Share This