
Abelard Tahiri: LVV ka propozuar kandidatë me “rekord të zi” ndaj UÇK-së
Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Abelard Tahiri, ka akuzuar Lëvizjen Vetëvendosje se deri më tani ka propozuar për kryetar të Kuvendit kandidatë që sipas tij kanë veprime kundër Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Në një postim në Facebook, Tahiri ka renditur tre emra të përmendur nga Vetëvendosje në këtë proces, duke i konsideruar si “rekord të zi” përballë UÇK-së.
“1. Albulena Haxhiu dhe grupi parlamentar i LVV-së kanë miratuar ligjin për themelimin e Institutit për Hetimin dhe Hulumtimin e Krimeve të Luftës, duke zgjatur afatin e këtyre hulumtimeve deri më 31 dhjetor 2000. Po kush ka luftuar në Kosovë pas qershorit 1999?! Pra, veteranët e UÇK-së mund të ndiqen për krime lufte deri më 31 dhjetor 2000, sipas ligjit të Albulenës – pikërisht ashtu siç do Serbia. Ky është shërbimi më i madh që i është bërë Serbisë”, ka shkruar ai.
“2. Donika Shvarc ka treguar vetë se ka bërë hetime personale, ka fabrikuar dosje për krerët e UÇK-së (me siguri bashkë me prokurorë serbë) dhe thotë se i ka dorëzuar pranë Gjykatës, duke u mburrur vetë me këtë veprim”, ka shtuar më tej deputeti i PDK-së.
“3. Hekuran Murati i ka përjashtuar nga paga minimale tri kategoritë më të lavdishme të shoqërisë sonë: veteranët e UÇK-së, familjet e dëshmorëve dhe invalidët e UÇK-së”, ka përfunduar Tahiri.
Sipas tij, pas këtyre emrave tashmë “të gjithë e dimë” se kush mund të jetë kandidati i radhës i Vetëvendosjes për kryetar të Kuvendit.


