
BE i bën thirrje Këshillit Prokurorial të Kosovës: “Zbatoni plotësisht reformën dhe veproni me integritet”
Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë u ka bërë thirrje të gjithë anëtarëve të Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK) që të zbatojnë pa vonesa dhe në mënyrë të plotë reformën në këtë institucion. Mesazhi u dha gjatë një takimi të zhvilluar mes BE-së dhe anëtarëve të KPK-së.
Në reagimin e saj, BE thekson se sundimi i ligjit mbetet një nga parakushtet themelore për integrimin evropian të Kosovës.
“BE-ja në Kosovë u bëri thirrje sot të gjithë anëtarëve të saj që të zbatojnë së bashku dhe plotësisht reformën e KPK-së, të sigurojnë ligjshmërinë e vendimeve të tyre, të veprojnë me integritet dhe të ruajnë besimin e publikut në sistemin e drejtësisë”, thuhet në njoftim.
Reforma në KPK ka qenë temë e debatit të madh politik dhe publik në muajt e fundit. Ish-ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka akuzuar KPK-në se po bllokon procesin e reformës, duke e cilësuar këtë institucion si të kapur.
Edhe organizatat e shoqërisë civile kanë ngritur shqetësime, duke akuzuar disa anëtarë të KPK-së për veprime që sipas tyre po pengojnë procesin e reformimit dhe po cënojnë funksionimin e sistemit të drejtësisë.
Thirrja e BE-së vjen në një moment kyç, ku pritet që institucionet të tregojnë vullnet të qartë politik dhe institucional për të çuar përpara ndryshimet që konsiderohen thelbësore për procesin e integrimit evropian dhe për rikthimin e besimit të qytetarëve në drejtësi.


