
Deco për afatin e janarit: Nuk kemi nevojë për blerje të reja
Drejtori sportiv i Barcelonës, Deco, e ka bërë të qartë se klubi katalanas nuk planifikon të bëjë përforcime gjatë afatit kalimtar të janarit, përveçse nëse ndonjë lojtar mund largohet nga skuadra.
“Aktualisht nuk shoh ndonjë nevojë për afatin e janarit. Asnjë lojtar nuk ka kërkuar të largohet, kështu që nuk kemi arsye për të bërë ndryshime”, ka thënë Deco për ‘AS”.
Deklarata e tij vjen në një moment kur trajneri Hansi Flick po përballet me disa mungesa për shkak lëndimeve, por drejtuesit duket se ruajnë qetësinë dhe besimin tek grupi aktual.
Deco foli gjithashtu për talentin e ri Lamine Yamal, i cili po tërheq gjithnjë e më shumë vëmendje me paraqitjet e tij.
“Shpesh fokusohemi shumë te individët, por është skuadra ajo që fiton. Lamine është një lojtar shumë i pjekur për moshën e tij, një talent ndryshe që mund të shënojë një epokë. Duhet ta lëmë të qetë”, theksoi ai.
Sa i përket krahasimeve me Lionel Messin, Deco ishte i kujdesshëm.
“Konteksti i Messit ishte ndryshe. Ai u bashkua me një skuadër tashmë fituese, me lojtarë 25-26 vjeç. Rritja e Yamalit po ndodh në mënyrë më natyrale dhe graduale”, pohoi Deco.
Barcelona duket e vendosur të ruajë stabilitetin në skuadër, duke u përqendruar më shumë në zhvillimin e talenteve të brendshme sesa në blerje të reja gjatë dimrit.


