
Dalin në shitje biletat për ndeshjen Zvicër – Kosovë
Federata e Futbollit e Zvicrës (SFV) ka njoftuar se prej ditës së enjte kanë dalë në shitje biletat për sfidën kualifikuese Zvicër – Kosovë, që zhvillohet më 5 shtator 2025 në stadiumin “St. Jakob-Park” në Basel, me fillim nga ora 20:45.
Biletat mund të blihen online në faqen zyrtare www.ticketmaster.ch, dhe ofrohen në kategori të ndryshme çmimesh:
25 franga zvicerane për të rinjtë deri në 16 vjeç (prapa portës)
Deri në 134 franga për vendet premium në tribunën qendrore
Hyrja për fëmijët nën 6 vjeç është falas, por ata duhet të ulen në prehërin e një të rrituri shoqërues.
Ndërkohë, SFV ka njoftuar se biletat për sektorët zyrtarë të tifozëve të Kosovës (B1-B2) do të shiten ekskluzivisht përmes Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK). Tifozët shqiptarë mund të blejnë edhe bileta shtesë në sektorët B3-B7 përmes platformës publike.
Përballja mes Zvicrës dhe Kosovës pritet të jetë një ndër më emocionueset në kuadër të kualifikimeve për Kupën e Botës 2026.


