
OVL e UÇK-së për protestën e 7 gushtit: Interesimi i madh i qytetarëve, dëshmi e vetëdijes për drejtësi
Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVL e UÇK-së) ka shprehur mirënjohje për përkrahjen e madhe që ka marrë protesta e paralajmëruar për datën 7 gusht, duke e cilësuar këtë si një tregues të vetëdijes së lartë qytetare dhe përkushtimit ndaj drejtësisë.
“Falënderim për përkrahjen dhe interesimin tuaj të madh! Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së, në emër të këshillit organizues, ju shpreh mirënjohje të thellë për përkrahjen e jashtëzakonshme që kemi parë ditëve të fundit për protestën paqësore të thirrur për datën 7 gusht, ora 17:00, në sheshin ‘Skënderbeu’ në Prishtinë”, thuhet në njoftim.
Sipas OVL-së, interesimi i madh i qytetarëve, i shprehur në rrjete sociale dhe forma të tjera, tregon qartazi përkushtimin për të kundërshtuar padrejtësitë dhe për të kërkuar drejtësi.
Organizata ka falënderuar gjithashtu partitë politike që kanë shprehur mbështetje për protestën, shoqërinë civile që ka ngritur zërin në përkrahje të saj, si dhe mediat për pasqyrimin e drejtë dhe të balancuar.
“Bashkë, me dinjitet dhe paqë, do të ngremë zërin kundër padrejtësive”, përfundon reagimi i OVL-së.


