Daku ‘shpëton’ Rubinin ndaj Zenitit, lavdërohet nga të gjithë

Daku ‘shpëton’ Rubinin ndaj Zenitit, lavdërohet nga të gjithë

Mirlind Daku ka qenë protagonisti kryesor në barazimin 2:2 mes Rubin Kazanit dhe Zenit St. Petersburg, duke shënuar gol në minutën e 90-të, që i dha një pikë të artë skuadrës së tij në kuadër të kampionatit rus.

Ndonëse gjatë afatit kalimtar të kësaj verë u përfol për një transferim të tij pikërisht te Zeniti, transferimi nuk u realizua, por Daku i tregoi vlerat në fushë, si kundërshtar.

Rakhimov: Çdo ndeshje për të duhet të jetë speciale

Pas ndeshjes, trajneri i Rubin Kazanit, Rashid Rakhimov, theksoi rëndësinë e golit të Dakut, edhe pse pranoi se paraqitja e tij nuk ishte më e mira.

“Ai duhet ta kuptojë se të gjitha ndeshjet janë speciale për të. Ai ka një nivel të caktuar, por nuk e mban atë gjatë 90 minutave. Janë të gjitha ndeshje kampionale, dhe duhet të ruash stabilitetin e të zhvillohesh tutje”, tha Rakhimov.

Daku Lavdërohet nga kapiteni dhe kundërshtarët

Kapiteni i Rubin Kazanit, Igor Vujaçiq, foli me superlativa për sulmuesin shqiptar.

“Mbrojtësit e Zenitit e mbuluan mirë. Ishte e vështirë për të, bëri shumë pa top. Por kur iu dha momenti, realizoi. Kjo është forca e tij. Ka potencial për të luajtur në La Liga”, tha ai.

Edhe mbrojtësi i Zenitit, Vanja Drkushiq, dhe trajneri Sergei Semak, e vlerësuan Dakun si një nga lojtarët më të mirë të kampionatit rus, duke konfirmuar reputacionin në rritje të sulmuesit 26-vjeçar.

Në këtë ndeshje, golin tjetër për Rubin e realizoi një tjetër kosovar, Veldin Hoxha, që po shkëlqen me paraqitjet e tij. Një mbrëmje e madhe për futbollin shqiptar në Rusi.

Share This