
Chelsea ‘rrah’ keq Barcelonën, të gjitha rezultatet dhe tabela
Chelsea ka arritur fitore të madhe ndaj Barcelonës, duke e mposhtur 3-0 në “Stamford Bridge” në ndeshjen e fazës së ligës së UEFA Champions League, shkruan Rekordi.net.
Ky është triumfi më i thellë i londinezëve ndaj katalanasve, ndërsa fitorja i ngjit përkohësisht në top 8 të renditjes.
Ndeshja nisi me intensitet të lartë. Chelsea shënoi herët, por goli u anulua për prekje të topit me dorë. Pak minuta më vonë, Ferran Torres humbi një mundësi të artë për Barcelonën nga 10 metra, duke shpërdoruar rastin më të pastër të miqve në pjesën e parë.
Chelsea vazhdoi të shtonte presionin, ndërsa Barça kërcënonte me kundërzbritje, me Lamine Yamal protagonist. Një tjetër gol i parë nga londinezët – me kokë nga Enzo Fernández – u anulua për pozicion jashtë loje. Por goli i avantazhit do të vinte natyrshëm: një aksion i rrezikshëm i nisur nga Marc Cucurella çoi në një rrëmujë në zonë, dhe topi u devijua në rrjetë nga Jules Kounde.
Para pushimit, situata u vështirësua edhe më shumë për Barcelonën, pasi Ronald Araujo mori kartonin e kuq pas dy ndërhyrjeve të ashpra, duke e lënë ekipin me 10 lojtarë.
Në pjesën e dytë, Chelsea e mori plotësisht kontrollin e lojës. Estevao realizoi një gol spektakolar me një depërtim të shkëlqyer individual, duke dyfishuar rezultatin. Përpjekjet e Barcelonës për të reaguar me futjen e Marcus Rashford dhe Raphinha nuk sollën asgjë konkrete.
Ndërkohë, sulmuesi i ri Liam Delap vulosi fitoren e thellë me golin e tij të parë në Champions League, pas një kundërsulmi të shpejtë që e gjeti mbrojtjen katalanase të ekspozuar.
Chelsea tashmë ka vetëm një humbje në 10 përballjet e fundit me Barcelonën, ndërsa ka zgjatur serinë pozitive në gjashtë ndeshje radhazi.
Në anën tjetër, Barcelona rrezikon të përfundojë në pozitat e play-offit për të siguruar kualifikimin në fazën me eliminim direkt. /Rekordi.net




