
Cakolli: Protesta e 7 gushtit nuk është kundër drejtësisë, por kundër padrejtësive në emër të saj
Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovës ka ngritur shqetësime serioze mbi legjitimitetin moral dhe politik të proceseve gjyqësore që po zhvillohen në Dhomat e Specializuara në Hagë, duke theksuar se ato po bazohen mbi dokumentacion të siguruar nga shteti që kreu spastrim etnik ndaj popullit të Kosovës.
Në një postim në Facebook, Cakolli ka shprehur pakënaqësinë e thellë me faktin që në bankën e të akuzuarve ndodhen figura kyçe të luftës çlirimtare, duke e cilësuar këtë si një përpjekje të rrezikshme për të rishkruar historinë e Kosovës dhe për të cenuar dinjitetin kolektiv të saj.
“Askush nuk mund të gjykohet ‘në emër të popullit të Kosovës’, kur provat vijnë pikërisht nga aparati shtetëror që planifikoi dhe kreu spastrimin etnik kundër këtij populli,” ka shkruar ai.
Duke e vlerësuar si thelbësore kundërshtimin e padrejtësive që, sipas tij, po bëhen në emër të drejtësisë, Cakolli e ka quajtur protestën e paralajmëruar më 7 gusht si “të domosdoshme”.
“Protesta e 7 gushtit nuk është kundër drejtësisë, por kundër padrejtësive në emër të saj,” theksoi Cakolli, duke shtuar se pjesëmarrja në të është mënyrë për të mbrojtur dinjitetin kolektiv dhe për të mos heshtur përballë përpjekjeve për të deformuar të vërtetën historike.
Ai u bëri thirrje qytetarëve që të mos qëndrojnë indiferentë ndaj zhvillimeve që, sipas tij, prekin thelbin e identitetit dhe historisë së Kosovës.

