
Abdixhiku dhe Përparim Rama inspektojnë punimet në Rrugën A dhe Unazën e Brendshme: Prishtina po ndërtohet me vizion të madh
Kreu i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, së bashku me kryetarin e Prishtinës, Përparim Rama, të mërkurën, kanë dalë sot në terren për të parë nga afër punimet në dy nga projektet më të mëdha infrastrukturore të kryeqytetit – Rruga A dhe Unaza e Brendshme.
Në një postim në rrjetin social Facebook, Abdixhiku tha se këto nuk janë thjesht projekte komunale, por “ndërhyrje madhore urbane që ridefinojnë qytetin në përmasat e një vizioni modern dhe të guximshëm”.
Ai bëri të ditur se të dyja projektet po i afrohen përfundimit dhe do të kenë ndikim të madh në qarkullimin dhe zhvillimin urban të Prishtinës.
“Rruga A – një kërkesë e kahershme – po bëhet realitet. Me gjashtë korsi të reja, kjo rrugë lidh Veternikun me Bregun e Diellit dhe Matin për vetëm pak minuta,” tha Abdixhiku, duke shtuar se rruga do të krijojë një lagje të re të gjallë për dhjetëra mijëra banorë.
Ndërkohë, ai e cilësoi Unazën e Brendshme si një projekt strategjik që do të krijojë një korridor të ri qarkullimi nga Kodra e Trimave deri në rrugët dalëse për Fushë Kosovë dhe Mitrovicë, duke lehtësuar trafikun në qendër të qytetit.
“Prishtina nuk ka nevojë për zgjidhje të vogla. Ka nevojë për vizion dhe njerëz që veprojnë në përmasa të mëdha,” theksoi kreu i LDK-së, duke e cilësuar Përparim Ramën si një “vizionar që po i jep formë të ardhmes së Kryeqytetit”.
Abdixhiku premtoi angazhim të përditshëm me të gjitha ekipet për të sjellë projekte me ndikim të qëndrueshëm në jetën e qytetarëve.
“Prishtina duhet me u dashtë!”, përfundoi ai. /Rekordi.net

