Blerta Deliu-Kodra: Përgjegjës për bllokimin e institucioneve është vetëm Albin Kurti

Blerta Deliu-Kodra: Përgjegjës për bllokimin e institucioneve është vetëm Albin Kurti

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Blerta Deliu-Kodra, ka reaguar pas deklaratave të kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, ndaj Gjykatës Kushtetuese.

Përmes një postimi në Facebook, Deliu-Kodra akuzon Kurtin për shmangie nga përgjegjësia, duke thënë se ai gjithmonë mundohet të gjejë fajtorë të tjerë kur përballet me sfida apo dështime.

“Albin Kurti, si gjithmonë, kur përballet me sfida apo dështime, tenton të gjejë fajtorë të tjerë. Tani ai po akuzon Gjykatën Kushtetuese dhe partitë opozitare për vonesat në konstituimin e Kuvendit, duke injoruar shkeljet e njëpasnjëshme të Kushtetutës që i ka bërë ai dhe partia e tij”, shkruan Deliu-Kodra.

Deputetja e PDK-së thekson se e vërteta për bllokimin e institucioneve është e qartë dhe nuk mund të fshihet pas, siç thotë ajo, propagandës politike.

“E vërteta për bllokimin e Parlamentit dhe institucioneve është e qartë: përgjegjësia ka një emër – Albin Kurti. Të tjerat janë propagandë e pastër”, përfundon reagimin e saj Blerta Deliu-Kodra.

Reagimi i saj vjen në vazhdën e kritikave të opozitës ndaj Kurtit, i cili ka akuzuar Gjykatën Kushtetuese dhe partitë rivale për krizën aktuale institucionale në vend.

Share This